Gjuajti me armë natën e Vitit të Ri, 51-vjeçari nga Strellci i Deçanit arrestohet pasi Policia siguroi pamjet
Publikimi i videove e fotove të ndryshme në rrjete sociale shpesh po i fut kosovarët në sherr me Policinë. Ata jo rrallëherë dalin të jenë merakli të mbajtjes së armëve, kryesisht pa leje dhe me ekspozimin e tyre në rrjete sociale, tentojnë të shfaqen si të “fortë” dhe të pakapshëm për organet e rendit, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë që ka ndodhur natën e Vitit të Ri në Strellc të Deçanit është zbuluar së fundmi pasi Policia siguroi pamje të të shtënave me armë.
Sinjali mëson se i dyshuari është një 51-vjeçar, i cili është filmuar duke shkrepur armën, incizime këto që ranë në duart e Policisë dhe si rezultat i njëjti u arrestua.
I dyshuari u shoqërua në stacion policor, ndërsa është sekuestruar një pistoletë që dyshohet se është përdorur në rast.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
/GazetaSinjali/