I arrestuari nën dyshimin se kërkoi 40 mijë euro ryshfet për rastin e fajdeve është mjek specializant
Prokuroria e Ferizajt ka njoftuar dje, se ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit A.L., i dyshuar për veprën penale – ushtrimi i ndikimit.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri A.L. që nga data 19.02.2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet në masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartcekur.
Në njoftimin e Prokurorisë së Ferizajt thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se më 17.03.2023, në Prishtinë, i pandehuri A.L., në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte kërkuar para për vete që të ushtronte ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar.
Tutje në njoftimin e Prokurorisë thuhet se pas arrestimit të të pandehurit E.S., dhe caktimit të paraburgimit nga ana e Gjykatës, ishte takuar me vëllanë e të pandehurit, prej të cilit kishte kërkuar dyzet mijë (40,000) euro para që të ushtronte ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtarë, gjyqtarë e prokurorë, për ta liruar nga paraburgimi të pandehurin E.S., i cili gjendej në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, sipas aktvendimit të Gjykatës së Ferizajt.
Lidhur me rastin, KALLXO.com merr vesh se i arrestuari i cili dyshohet se kishte kërkuar 40 mijë euro ryshfet për të ndikuar në ndërprerjen e paraburgimit ndaj një të dyshuari për fajde është A. Lajçi, mjek me profesion, i cili para disa javësh e ka përfunduar specializimin në QKUK.
KALLXO.com ka kërkuar të marrë një përgjigje zyrtare nga zyrtarët e QKUK-së por ata vetëm kanë konfirmuar se i dyshuari ka qenë specializant dhe nuk është i punësuar në QKUK e as SHSKUK, dhe kontratën si specializant e ka pasur me Ministrinë e Shëndetësisë, dhe kontrata i ka skaduar para disa javësh.