“Bild” raporton se Italia po përgatitet për tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga Kosova
Italia është duke u përgatitur për tërheqjen e mundshme të trupave amerikane nga Kosova, raporton gazeta e njohur gjermane “Bild”.
“Sipas të dhënave të Bild-it, Italia është duke u përgatitur për tërheqje të mundshme të trupave të ShBA-së nga Kosova. Aleatët evropianë atëherë do të ishin të vetëm në Ballkan kundër mikut të Putinit, Aleksandar Vuçiq, dhe ushtrisë së tij të fuqishme serbe” , thuhet në artikullin e gazetës gjermane.
“Ka shqetësim të madh në shumë pjesë të Evropës për negociatat amerikano-ruse. Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka përjashtuar një tërheqje të plotë të trupave amerikane nga Evropa. Sipas të dhënave të Bild-it, shërbimet perëndimore të sigurisë dhe politikanët perëndimorë kanë frikë se bisedimet që nisën sot në Riad do të mund të çonin në përfundimin e pranisë së trupave amerikane në pjesë të mëdha të Evropës”, thuhet në krye të artikullit.
Një zyrtar i sigurisë në Evropën Lindore i ka thënë gazetës “Bild” se: “Sipas të dhënave tona, kjo ka të bëjë me kërkesat e Putinit të vitit 2021, që janë tërheqja e trupave amerikane nga të gjitha shtetet e NATO-s që janë bërë pjesë e aleancës pas vitit 1990.”
Skenari i rastit më të keq është ai në të cilin shumë ekspertë kanë frikë për një pushtim të menjëhershëm nga ushtria ruse në ish-republikat sovjetike, Estoni, Letoni e Lituani, si dhe një luftë e shkallës së lartë me Poloninë, thuhet më tej në artikullin e gazetës gjermane.
Prania e trupave amerikane në zonat afër Rusisë, sipas konsensusit të shteteve fqinje të Rusisë, është garancia më e madhe për pavarësinë e këtyre vendeve.
“Lavrovi kërkoi që NATO-ja të kthehet në kufijtë e saj të vitit 1997 dhe të tërhiqet nga të gjitha shtetet me përjashtim të Gjermanisë [së dikurshme] Lindore në interesin e stabilitetit në Evropë. Prandaj pse nuk do të duhej ta kërkonte Putini këtë në Riad?”, shkroi ish-ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis.