Konflikt familjar në Pejë: Vjehrra ushtron dhunë ndaj nuses dhe e largon nga shtëpia bashkë me nipin

Çdo ditë në vendin tonë raportohen dhjetëra raste të dhunës në familje, ku viktima janë zakonisht gratë që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga familjarët e tyre.

Por nuk janë të rralla edhe rastet kur nga dhuna pësojnë edhe nuset të cilat kanë probleme me vjehrra.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në një familje në Pejë, ku një 52-vjeçare dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së djalit të saj.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 23-vjeçarja e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka rrëfyer se vjehrra e saj ka ushtruar dhunë psikike sistematikisht ndaj saj.

Sipas dëshmisë së saj, herën e fundit e ka dëbuar nga shtëpia bashkë me nipin dhe përballë kësaj situate, viktima ka kërkuar ndihmë.

Si rezultat i raportimit, njësitë policore kanë shoqëruar në stacion policor të dyshuarën, e cila është intervistuar lidhur me rastin.

Ndërsa viktima është dërguar te familja e saj pasi nuk ka pranuar të kthehet te shtëpia e burrit.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, e dyshuara do të hetohet për veprën penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Lajm i hidhur: Vdes në moshë të re pronari i byrektores "Parisi" në Mitrovicë