Kapet kamioni me 1.5 milionë euro drogë në Maqedoni, hyri nga Kosova

Në kuadër të operacioneve të përbashkëta të shërbimeve policore dhe doganore, është parandaluar një tentativë për trafik ndërkombëtar të lëndës narkotike marihuanë në Maqedoninë e Veriut.

Gjatë një kontrolli të detajuar në pikën kufitare Bogorodicë, autoritetet në Maqedoninë e Veriut zbuluan dhe sekuestruan 150 kilogramë marihuanë të fshehur në një kamion me targa të Shkupit, raporton euronews.

Sipas informacioneve paraprake, kamioni kishte hyrë nga Kosova dhe ishte planifikuar të kalonte tranzit përmes Maqedonisë së Veriut drejt Greqisë, me destinacion final Turqinë.

Operacioni u realizua si bashkëpunim ndërinstitucional mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Drejtorisë së Doganave, në kuadër të një memorandumi bashkëpunimi të nënshkruar në nëntor 2024.

Hetimet po vijojnë për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë dhe mënyrën e organizimit të trafikut. Ndërkohë, lënda narkotike do t’i nënshtrohet analizave forenzike dhe ekspertizës së mëtejshme. Sipas vlerësimeve, në tregun e zi kjo sasi droge mund të kapë vlerën e mbi 1.5 milionë euro.

Lexo edhe:  Lajm i hidhur: Vdes polici i Kosovës, Nagip Tahiri