Alarm nga shqiptarët në Amerikë: “Marrëdhëniet me SHBA në pikën e tyre më të ulët në këtë shekull”

Martin Vulaj, drejtori i Këshillit të Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane, dhe një nga liderët më të spikatur të komunitetit shqiptar në Amerikë, është shprehur i “tronditur” me nivelin e marrëdhënieve në mes administratës amerikane dhe qeverisë së Kosovës. Ai pohon se SHBA-të presin urgjentisht që Kosova “ta ndryshojë kursin” e përplasjeve me administratën amerikane.

Vulaj ka folur për rrugën negative të përzgjedhur nga qeveria Kurti në marrëdhëniet me ish -Presidentin Biden: “Në mënyrë tronditëse, në vend që të gjente një rrugë pragmatike për bashkëpunim, Kosova zgjodhi një rrugë sfiduese. Fyerjet dhe komentet nënçmuese drejtuar Ambasadorit Grenell—fillimisht të menduara si incidente të izoluara—vazhduan kundër Palmer, Chollet, Escobar, O’Brien dhe madje edhe kundër Sekretarit Blinken.”

Niveli i tillë i komunikimit, po vazhdon edhe më tutje, duke rrezikuar thellësisht marrëdhëniet. Vulaj pohon se deklaratat e Grenellit duhet marrë tepër seriozisht: “komentet e Grenellit duhet të kuptohen jo vetëm si një pasqyrim i gjendjes aktuale të marrëdhënieve, por edhe si një paralajmërim se një ndryshim i qasjes ndaj Shteteve të Bashkuara është i nevojshëm. Për më tepër, fakti që djali i Presidentit ka mbështetur publikisht deklaratat e Grenell-it është shqetësues. Edhe më alarmuese është që Miqtë e Kosovës në Capitol Hill po përsërisin thirrjen urgjente që Kosova të ndryshojë kursin.”

Intervista e plotë me Martin Vulaj.

Gazeta Express: Ka pasur një debat të shtuar dhe polarizim në Kosovë lidhur me marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-ve, me Kryeministrin e Kosovës që deklaron se “marrëdhëniet nuk kanë qenë kurrë më të mira”, ndërsa i dërguari amerikan Rick Grenell thotë se “nuk kanë qenë kurrë më keq”. Ju keni qenë një udhëheqës i komunitetit shqiptaro-amerikan për dekada. Si e vlerësoni sot gjendjen e marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe Kosovës?

Martin Vulaj: Më lejoni të filloj duke thënë se besoj fuqimisht që diaspora shqiptaro-amerikane duhet të mbetet jopartiake kur bëhet fjalë për politikën e brendshme në Kosovë. Përgjegjësia jonë e vetme, siç e shoh unë, është forcimi i lidhjeve mes Shteteve të Bashkuara dhe popullit shqiptar, pavarësisht se kush është në Shtëpinë e Bardhë apo në zyrën e Kryeministrit. Në fakt, ky parim ishte arsyeja kryesore pse AARC u themelua dhe mbetet udhërrëfyesi ynë kryesor.

E theksoj këtë sepse shpeshherë deklaratat nga diaspora perceptohen përmes prizmit të politikës së brendshme partiake. Kur punoja në Uashington menjëherë pas luftës, bashkëpunova me çdo qeveri dhe zyrtar partie për të mbështetur Kosovën, përfshirë të ndjerin Bajram Rexhepi, Presidentin Rugova, z. Thaçi, z. Haradinaj, Nexhat Daci dhe shumë të tjerë. Roli ynë ishte të këshillonim dhe ndihmonim për të drejtuar si Uashingtonin ashtu edhe Prishtinën drejt një rruge që trajtonte shqetësimet e ndërsjella dhe forconte vazhdimisht partneritetin.

Është në këtë frymë që pranova këtë intervistë, dhe po në këtë kontekst duhet të kuptohen deklaratat e mia. Sa i përket marrëdhënieve ne mes SHBA dhe Kosovës:, më çudit fakti që gjendja e marrëdhënieve SHBA–Kosovë është e diskutueshme. Është një sekret i hapur që, politikisht, marrëdhëniet mes dy qeverive janë të tensionuara—ndoshta në pikën e tyre më të ulët në këtë shekull.

Kur qeveria që doli nga zgjedhjet e vitit 2021 mori pushtetin, Uashingtoni e priti me atë që do ta përshkruaja si optimizëm të kujdesshëm. Ndërkohë që administrata Biden kishte shqetësime për disa taktika të përdorura gjatë kohës në opozitë—si ato që çuan në lëndimin e Ambasadores Jacobson—fitorja e paprecedentë dhe dërrmuese e VV-së sinjalizoi një mundësi për një fillim të ri. Shumë shpresonin që tensionet mes Prishtinës dhe administratës së mëparshme Trump në vitin 2020 do të mbeteshin në të kaluarën.

Lexo edhe:  Sherr masiv në Selanik, të rinjtë përleshen me thika – PAMJE TË RËNDA

Me Senatorin Biden që mori presidencën—një njeri i konsideruar gjerësisht si hero për Kosovën—pritshmëria në Prishtinë ishte që marrëdhënia tradicionalisht e afërt do të rikthehej plotësisht. Pavarësisht paralajmërimeve tona të kundërta, qeveria e re kosovare priste një zhvendosje në politikën amerikane. Fatkeqësisht, kjo pritshmëri nuk u realizua.

Kjo u bë e qartë që në fillim kur Sekretari Blinken dërgoi letra presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, të cilat pasqyronin korrespondencën e mëparshme të Presidentit Trump, duke riafirmuar njohjen reciproke si qëllimin e dialogut. Administrata Biden gjithashtu e mbështeti shpejt dhe plotësisht Marrëveshjen e Uashingtonit. Ndërsa qasja mund të ketë ndryshuar, politika në vetvete mbeti e qëndrueshme.

Në mënyrë tronditëse, në vend që të gjente një rrugë pragmatike për bashkëpunim, Kosova zgjodhi një rrugë sfiduese. Fyerjet dhe komentet nënçmuese drejtuar Ambasadorit Grenell—fillimisht të menduara si incidente të izoluara—vazhduan kundër Palmer, Chollet, Escobar, O’Brien dhe madje edhe kundër Sekretarit Blinken. Ndërsa kjo retorikë nuk ishte e dobishme, ajo nuk ishte arsyeja kryesore e tensionimit aktual të marrëdhënieve. Përkundrazi, veprime të caktuara të ndërmarra nga qeveria e Kosovës çuan edhe miq afatgjatë të Kosovës, si Ndihmës Sekretari O’Brien, të vënë në dyshim marrëdhënien për herë të parë.

 

Këto veprime, të cilat tani janë të njohura gjerësisht dhe nuk është e nevojshme të përsëriten këtu, u përshkruan nga aleatët—përfshirë Shtetet e Bashkuara—si “të njëanshme”, “të pakoordinuara” dhe “destabilizuese.” Pavarësisht nëse këto veprime ishin të justifikuara apo jo, ato patën qartësisht një ndikim negativ në marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj. Ndërkohë, Kosova gabimisht e zhvendosi fokusin e saj drejt Europës për mbështetje, vetëm për të parë atë mbështetje të zbehej në skenën globale.

 

Për të qenë i qartë, unë gjithmonë kam besuar se favorizimi i dukshëm i SHBA-ve ndaj Serbisë është si i gabuar, ashtu edhe joproduktiv. Megjithatë, unë gjithashtu besoj se përgjigja e duhur ndaj kësaj duhej të ishte një përafrim më i madh i interesave me Uashingtonin, në vend të sfidimit të tij. Si rezultat i kësaj qasjeje, Kryeministri—i cili u prit në Uashington në fillim të mandatit të tij—tani ka kaluar disa vite pa një pritje zyrtare, pavarësisht vizitave të shumta në SHBA. Kjo nuk duhet të jetë burim kënaqësie as për kritikët e tij më të ashpër; përkundrazi, kjo nënvizon nivelin e frustrimit mes dy qeverive.

 

Pavarësisht këtyre sfidave, dua të jem i qartë: ndërsa vështirësitë në marrëdhëniet politike janë të dukshme, partneriteti strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës mbetet i fortë. Megjithatë, siç kemi parë, administrata aktuale aplikon një grup të ndryshëm kriteresh kur vlerëson partneritetet, dhe është e qartë se parimi i qeverisë së Kosovës për një qasje “shtyj, por mos e këput” jo vetëm që nuk do të funksionojë me këtë administratë, por gjithashtu nuk do të tolerohet, dhe një ndryshim i menjëhershëm i qasjes është i domosdoshëm.

 

Gazeta Express: Ka një numër deputetësh, këshilltarësh dhe analistësh, kryesisht mbështetës të qeverisë aktuale, që deklarojnë se Grenell nuk është dikush që ka ndonjë përgjegjësi për të diskutuar mbi Kosovën dhe se pikëpamjet e tij “nuk përfaqësojnë qeverinë amerikane.” A është kjo e vërtetë? A mund të shpërfillen kaq lehtë deklaratat e një të dërguari presidencial?

 

Martin Vulaj: Le të ndalemi për një moment dhe të ndalojmë së pari te ajo që Ambasadori Grenell përfaqëson për këtë administratë, përtej çdo roli zyrtar që ai mund të ketë. E dimë se ai është një nga njerëzit më të afërt të Presidentit Trump. Trump e emëroi atë si Drejtor të Përkohshëm të Inteligjencës Kombëtare—një pozicion që më vonë iu ofrua në mënyrë të përhershme, por ai e refuzoi—dhe i besoi atij detyrën për të dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë te Presidenti Maduro i Venezuelës për të siguruar lirimin e pengjeve amerikane. Është e qartë se Grenell gëzon besimin e plotë të Presidentit, ka akses të drejtpërdrejtë dhe ushtron ndikim të madh. Për këtë arsye, deklaratat e tij duhet të merren seriozisht dhe çdo përgjigje ndaj tyre duhet të peshohet me kujdes.

Lexo edhe:  Arrestohet një person, dyshohet se e kanosi dhe tentoi ta godiste me shkop druri babanë

 

Për më tepër, është e rëndësishme të pyesim nëse dikush kaq pranë Presidentit do të mbronte publikisht një qëndrim që Trump vetë nuk e mbështet. Kjo duket shumë e pamundur.

 

Megjithatë, kur analizohen në kontekstin e marrëdhënieve aktuale mes dy qeverive, deklaratat e Grenell-it marrin një domethënie edhe më të qartë. Ndërsa diplomacia shpesh funksionon me nuanca dhe sinjale indirekte, ky President dhe administrata e tij i shohin gjërat më shumë bardh e zi. Aty ku një diplomat tradicional mund të përshkruante marrëdhënien si “jo plotësisht të harmonizuar,” kjo administratë është shumë më e drejtpërdrejtë. Besoj se komentet e Grenell-it duhet të kuptohen jo vetëm si një pasqyrim i gjendjes aktuale të marrëdhënieve, por edhe si një paralajmërim se një ndryshim i qasjes ndaj Shteteve të Bashkuara është i nevojshëm.

 

Për më tepër, fakti që djali i Presidentit ka mbështetur publikisht deklaratat e Grenell-it është shqetësues. Edhe më alarmuese është që Miqtë e Kosovës në Capitol Hill po përsërisin thirrjen urgjente që Kosova të ndryshojë kursin. Siç i tha një nga mbështetësit tanë më të fuqishëm Sekretarit tonë: “Ne po kërkojmë një partner të fortë dhe bashkëpunues në Ballkan. Nëse nuk jeni ju, kjo administratë do të vazhdojë më tej dhe do ta gjejë diku tjetër.”

 

Gazeta Express: Në vitin 2020, marrëdhëniet mes qeverisë së Kosovës dhe Kurtit arritën një pikë tensioni të lartë me senatorë republikanë amerikanë, si dhe djalin e Presidentit, të cilët kërcënuan me mbylljen e Bondsteel-it. Katër vite më vonë, kemi paralajmërime serioze nga anëtarë të lartë të administratës amerikane. A mendoni se këto janë kërcënime ekzistenciale të sigurisë për Republikën e Kosovës?

 

Martin Vulaj: Bota ka ndryshuar në mënyrë dramatike që nga viti 2020, dhe ne duhet të vlerësojmë pozicionin e Kosovës në dritën e këtyre lëvizjeve tektonike. Rendi global i krijuar nga Shtetet e Bashkuara pas Luftës së Dytë Botërore po shpërbëhet dhe po riformësohet. Në atë kohë, SHBA u siguronte mbrojtje aleatëve të saj—madje edhe shteteve jo-aleate—në këmbim të aksesit në tregjet e tyre. Aty ku dikur shtetet duhej të angazhonin eskortë ushtarake për të mbrojtur anijet e tyre tregtare, Marina Amerikane mori përgjegjësinë për të siguruar rrugët globale të tregtisë, duke lejuar lulëzimin e ekonomisë. Shumë vende përfituan nga kjo, dhe Kina, në veçanti, kaloi nga një ekonomi feudale në një superfuqi globale.

 

Tani, megjithatë, Shtetet e Bashkuara po e çmontojnë atë sistem, po segmentojnë tregtinë dhe po konsolidojnë burimet e tyre. Si pjesë e këtij ndryshimi, trupat po tërhiqen, marrëveshjet e sigurisë si NATO po rishikohen, dhe aleancat po rivlerësohen e riformësohen. Është pikërisht në këtë kontekst që duhet të analizojmë pozicionin strategjik të Kosovës.

 

Në vitin 2020, deklaratat mbi mbylljen e mundshme të Kampit Bondsteel dhe tërheqjen e trupave amerikane ishin shqetësuese. Sot, ato përfaqësojnë një kërcënim ekzistencial. A besoj se do të ndodhë? Jo. Por, për herë të parë, kjo është brenda sferës së mundësisë. Nëse kjo administratë është e gatshme të propozojë një ndryshim radikal në qasjen e saj ndaj Gazës—pavarësisht nëse e realizon apo jo—atëherë mbyllja e një baze të vetme ushtarake në një vend që perceptohet si jokomunikues nuk do të ishte as një mendim i dytë.

Lexo edhe:  Skenderaj përjashtohet nga ‘Epopeja e UÇK-së’, Komuna: Qeveria duhet të tregojë arsyet

 

Kanadaja, Meksika, Panamaja, Grenlanda, Danimarka dhe vende të tjera po riformulojnë marrëdhëniet e tyre me Shtetet e Bashkuara. Vijat po vizatohen. Kjo administratë po pyet: “Jeni brenda apo jashtë?” ndërsa ripozicionon veten, burimet dhe aleatët e saj për t’u përballur me Kinën në një luftë ekonomike dhe teknologjike që tashmë ka filluar. Nuk ka një opsion “brenda, por…”

 

Besoj se Kosova ndodhet në momentin e saj më kritik që nga lufta. Vendimet që do të merren në muajt në vijim—nëse jo më herët—do të formësojnë të ardhmen për brezat që vijnë.

 

Gazeta Express:  Si mund të përmirësojmë situatën? Cilat janë disa hapa të menjëhershëm që Kosova duhet të ndërmarrë për të përmirësuar pozicionin e saj në Washington, D.C.?

 

Martin Vulaj: Mungesa e investimeve të Kosovës në Washington, D.C. më kujton një shprehje: “Veprimet e tua flasin aq me zë të lartë, saqë nuk mund të dëgjoj çfarë thua.” Shtetet e Bashkuara janë, pa asnjë dyshim, partneri më i rëndësishëm strategjik i Kosovës. Për këtë arsye, Kosova duhet të sigurojë një prani të fortë dhe një zë të fuqishëm në D.C. Kjo kërkon:

 

Rritje të ndjeshme të buxhetit dhe stafit të Ambasadës në D.C. Ky zgjerim nuk duhet të fokusohet vetëm në forcimin e angazhimit me Departamentin e Shtetit dhe Pentagonin, por të shtrihet edhe në agjenci të tjera kyçe si Departamentet e Bujqësisë, Shëndetësisë dhe Energjisë. Marrëdhëniet e duhura në këto fusha mund të hapin mundësi investimi. Më shumë investime sjellin më shumë interes, dhe më shumë interes përkthehet në më shumë ndikim.

 

Angazhimi i të paktën dy firmave lobimi. Edhe pse kjo administratë mund të jetë më pak e ndjeshme ndaj lobimit sesa ato të mëparshmet, lobimi strategjik mbetet një mjet i fuqishëm për të formësuar opinionin me kalimin e kohës.

 

Angazhim aktiv me institucionet kërkimore, sponsorim i konferencave dhe mbështetje e studimeve të politikave nga palë të treta. Politikat formësohen, pjesërisht, nga opinioni publik, i cili, nga ana e tij, ndikohet nga faktet. Narrativa e Kosovës është humbur në masë të madhe në Washington. Në mungesë të një mesazhi të qartë, narrativat alternative fitojnë terren. Serbia, në veçanti, ka qenë jashtëzakonisht efektive në promovimin e versionit të saj të ngjarjeve para audiencave të painformuara dhe të papërgatitura.

Shfrytëzimi efektiv i diasporës. Qeveritë e njëpasnjëshme në Prishtinë kanë bërë gabimin e ndarjes së diasporës në kampe “të mirë” dhe “të këqij” – ata që janë “me ne” dhe ata që janë “kundër nesh”. Ky ka qenë një gabim kritik, i përsëritur edhe nga administrata aktuale, dhe ka sjellë anashkalimin e një rrjeti të fuqishëm ndikimi, i cili u deshën dekada për t’u ndërtuar. Me përjashtim të disa individëve të përkushtuar, kryesisht komuniteti shqiptar në Dallas ka mbetur i angazhuar në mënyrë të qëndrueshme. Megjithatë, ata nuk kanë mbështetjen institucionale dhe udhëzimet strategjike të nevojshme për të maksimizuar ndikimin e tyre. Komuniteti më i gjerë shqiptaro-amerikan duhet të mobilizohet dhe të krijohet një bashkëpunim i strukturuar për të siguruar një rrjedhë të vazhdueshme informacioni. Kjo është thelbësore për të ndikuar politikën në të dy anët e Atlantikut dhe për të forcuar marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.