Detaje për therjen në Korçë: 26-vjeçari ka rënë në koma, para dy javësh ishte liruar nga burgu

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga therja e 26 vjeçarit në Korçë, një natë më parë.

Nga grupi hetimor është bërë e ditur se konflikti mund të ketë nisur mes të plagosurit dhe autorit me inicialet J.R në prani të një vajze.

Policia dyshon se autori është larguar nga vendngjarja së bashku me vajzën me një mjet tjetër, ndërkohë që në vendngjarje kanë lënë një mjet me qira që është përdorur nga autori më parë.

Ndërkohë, policia është vënë në kërkim të autorit që nga momenti i identifikimit, ndërsa për ngjarjen janë pyetur dhjetëra persona që mund të kenë qenë dëshmitarë në momentin e plagosjes.

Mjekët e spitalit të Tiranës kanë bërë të ditur se 26 vjeçari ka rënë në koma.

26-vjeçari ka dy javë që ka dalë nga burgu i Peqinit, aty ku kryente dënimin për veprën penale të “dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Lidhur me motivin e ngjarjes aktualisht nuk është përcaktuar shkaku, ndërsa policia po heton në disa pista duke filluar nga një motiv banal e deri tek një konflikt i mundshëm që mund të ketë nisur në burg.

Lexo edhe:  Lëndohet duke prerë dru në pyll, dërgohet në spital një burrë në Gjilan