Rizvanolli tha se s’e dinte që kompania zvicerane fitoi kundërligjshëm tender, përgënjeshtrohet në WhatsApp

Para rreth dy muajsh, ministrja Artane Rizvanolli ishte ftuar dhe paraqitur në Prokurori, në cilësinë e dëshmitares për rastin e aferës së ish-kryeshefit të KEK-ut Nagip Krasniqi, e cila peshon mbi 36 milionë euro dëm për buxhetin e Kosovës.

Tashmë janë publikuar pjesë nga dëshmia e Rizvanollit, e cila karakterizohet me fjali si: “Nuk e di…”, “Mund të ketë qenë”, “Nuk më kujtohet”….Nga deklarata e saj, vërehet edhe përgënjeshtrimi me fakte, rreth të qenit në dijeni ose jo për kompaninë zvicerane që fitoi kundërligjshëm tender.

Favorizimi i kompanisë Litwin S.A.për riparimin urgjent të kalldasë në bllokun A4, me procedurë të negociuar, pavarësisht se e njëjta ishte shpallur e papërgjegjshme (në procedurë paraprake të hapur) – ishte boshti i aktakuzës ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, akt i cili sipas aktakuzës, do t’i shkaktonte dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej mbi 36 milionë euro.

“Andaj, si rezultat i veprimeve të të pandehurve për periudhën kohore 19 korrik 2022 deri më 6 maj 2023, blloku A5 ishte jashtë funksionit, andaj KEK u detyrua që të importojë energji elektrike në sasi prej 890,016 MËh, duke i shkaktuar KEK-ut dhe buxhetit të Kosovës dëm në shkallë të madhe, në shumën prej 36 milionë e 349 mijë e 638 euro e 62 centë”, thuhet në aktakuzën ndaj Nagip Krasniqit.

Ky 36 milionësh dëm ndaj buxhetit të Kosovës, ka një histori komunikimesh në WhatsApp dhe bashkë me aktakuzën ndaj Krasniqit, do të bëheshin të njohura edhe dy paraqitje të dy emrave si dëshmitare në Prokurori: Dejona Mihali dhe Artane Rizvanolli. (Dhe një ftesë për kryeministrin Albin Kurti, të cilës sot e disa muaj, vazhdon të mos i përgjigjet).

Nacionale sjellë detaje nga marrja në pyetje e Artane Rizvanollit në Prokurori.

Lexo edhe:  Vrasja e 37 vjeçarit në Gjilan, të dyshuarit u arratisën me biçikleta- Policia kontrolloi disa lagje e dy shtëpi

Në një pjesë të deklaratës, ministrja Rizvanolli pyetet për z.Nagip Krasniqi dhe rrjedha e bisedës sipas procesverbalit vijon si më poshtë:

Prokurori: A ju ka rënë shpesh të takoni z.Krasniqi?

Dëshmitarja: Shumë më shpesh se ndërmarrjet tjera për shkak se e mbuloj sektorin e energjisë por edhe veçanërisht për faktin që ka pasur një krizë të pa precedent energjetike.

Prokurori: Kur thuani se mbuloj sektorin e energjisë në çfarë kuptimi?

Dëshmitarja: Ministria e Ekonimisë i bënë politikat, strategjitë, legjislacionin e propozon për sektorin e energjisë por në kushte të rrethanave të veçanta si krizat mundet edhe me ndërhy në treg për të siguruar siguri të furnizimit dhe çmim të përballueshëm.

Prokoruri: Kur thuani mund të ndërhy në treg, na sqaroni këtë pjesë?

Dëshmitarja: Sipas legjislacionit në fuqi, mundet në raste të caktuara psh. Me vendos një obligim për ndërmarrjet e energjisë.

Prokurori: Gjatë kohës sa ka qenë Nagip Krasniqi kryeshef a është dashur të përdorni këtë mekanizëm legjislativ?

Dëshmitarja: Po, prej dhjetorit 2021 deri diku në pranverën e vitit 2023 në disa raste ndoshta dhjetë (10) kanë qenë në fuqi masat emergjente për furnizimin me energji sa më kujtohet kështu quhet, për periudhat tridhjetë ditore ose gjashtëdhjetë ditore.

Prokurori: Na jepni një shembull konkret të këtyre vendimet tridhjetë ditore apo gjashtëdhjetë ditor?

Dëshmitarja: Ndalimi i përdorimit të energjisë elektrike për mihje të kripto valutave.

Prokurori: Në rastet emergjente të cekura më lart ka pasur subvencionimin të Qeverisë për KEK-un, a është e saktë?

Dëshmitarja: Po ka pasur subvencionim me qëllim mirëmbajtjen, remontim e blloqeve të KEK-ut.

Prokurori: A keni qenë të informuar kur kanë filluar procedurat e remonteve në KEK?

Dëshmitarja: Në masë të madhe kisha më thënë se po, por jo gjithmonë. Veçanërisht gjatë kësaj periudhe kohore të krizës.

Lexo edhe:  Rrahman Jasharaj, Kurtit: Ty dhe Qeverinë do t’ju zë mallkimi i minatorëve

Në një pjesë të dëshmisë, Rizvanolli do të pyetej se si shpjegohej fakti se bash në kohën e krizës energjetike 2021-2023, do të shkonte në remont blloku A5.

Prokurori: Si e shpjegoni faktin që që siç thatë më lartë se ka pasur krizë energjetike në periudhën dhjetor 2021 pranverë 2023, kurse në anën tjetër pikërisht në atë periudhë kohore ka shkuar në remont blloku A5?

Dëshmitarja: Këto specifika besoj se mund të përgjigjet KEK-u, remontet janë të rregullta, me sa e di bëhen një herë në vit, e disa një herë në tri vit, nuk i di specifikat për secilën.

Prokurori: Në atë kohë z.Krasniqi ju ka njoftuar se blloku A5 është duke shkuar në remont?

Dëshmitarja: Besoj se po, kemi pasur kontakte të rregullta sa herë që ndonjë bllok ka qenë jashtë funksionit.