Këta janë dy të arrestuarit që dyshohet se e dhunuan disa herë një vajzë në Drenas  

Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale ndaj grave në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese.

Zakonisht viktima janë te rejat të cilat keqpërdoren seksualisht nga persona kryesisht të moshës madhore. Për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur në Drenas dhe u denoncua mbrëmë në Polici, janë arrestuar dy persona, raporton Gazeta Sinjali.

Dy personat e prangosur po dyshohen se kanë kryer marrëdhënie seksuale me viktimën, e moshës 17-vjeçare, pa dëshirën e saj, në periudha të ndryshme kohore.

Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës, ndërsa Sinjali ka zbuluar se kush janë personat e arrestuar për këtë rast.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Xhevdet Hamzën dhe Gentrit Saliukin, ndaj të cilëve tashmë është urdhëruar masa e ndalimit policor.

Rasti i fundit dyshohet se ka ndodhur më 21 janar, në Qikatovë të Re, ku i dyshuari Hamza e ka dhunuar viktimën për herë të tretë. Edhe i dyshuari tjetër, atë natë dyshohet se ka pasur marrëdhënie seksuale me të miturën.

Sipas burimeve të Sinjalit, bazuar në dëshminë e viktimës, rasti tjetër ka ndodhur javën e kaluar, ku në një motel në Drenas, të dyshuarit kanë pasur marrëdhënie seksuale me vajzën.

Si rezultat i denoncimit, Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe ka arritur që t’i arrestojë dy personat e dyshuar.

Viktima është dërguar për ekzaminime mjekësore, kurse të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Policia Rajonale në Prishtinë e ka konfirmuar po ashtu ndalimin e dy të dyshuarve.

“Me 22.01.2025 është raportuar se viktima femër kosovare me dy të dyshuarit meshkuj kosovarë pa dëshirën e saj ka  kryer marrëdhënie seksuale në kohë të ndryshme.  Viktima është dërguar  për egazminim mjekësor, ndërsa dy të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.”

Lexo edhe:  Serbia goditet nga termeti