Zjarri në Pejton: Banorët e ndërtesës mbetën pa rrymë pasi u dogj vetura elektrike

Një incident ka ndodhur mbrëmjen e të enjtes në lagjen Pejton të Prishtinës, saktësisht në rrugën “Ukshin Hoti”, ku një veturë është përfshirë nga zjarri. Rasti ka ndodhur në parkingun nëntokësor të një objekti, ku janë shkaktuar dëme materiale, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se vetura e cila ka marrë flakë ka qenë një veturë elektrike dhe si pasojë banorët e lagjes Pejton kanë mbetur pothuajse gjatë gjithë natës pa energji elektrike.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe zjarrfikësit, të cilët kanë kryer të gjitha procedurat e nevojshme për shuarjen e zjarrit.

Lajmin për Sinjalin e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

“Rreth orës 22:30, është raportuar se  në rrugën “Ukshin Hoti” në Prishtinë, në parkingun nëntokësor të një objekti një veturë është përfshirë nga zjarri…”, ka thënë mes tjerash zëdhënësi i Policisë, Agron Borovci.

Bëhet e ditur se Policia tashmë ka nisur hetimet për zbardhjen e detajeve dhe rrethanave të rastit.

 

Lexo edhe:  Vrasja në tentativë: Arrestohen dy të dyshuarit, dy të tjerët në kërkim të Policisë