“Largohu se për 10 min vi e t’vras”, sherr për pronë në Skenderaj, tre anëtarë të një familje përfundojnë në pranga

Konflikti për pronë në rrugën “Presheva” në Skenderaj, ka çuar në mosmarrëveshje dhe kanosje serioze ku u përfshinë dy familje, raporton Gazeta Sinjali.

Rasti ka ndodhur të premten, kur edhe u denoncua nga një 49-vjeçar, i cili kërkoi ndihmën e Policisë pasi mori një thirrje ku u kërcënua me vrasje.

Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se ky është rasti i dytë i denoncuar nga viktima, i cili është në hall me familjen Shaqiri. Njëri nga anëtarët e kësaj familje dyshohet se e ka kërcënuar ditën e djeshme duke i thënë “Largohu se për 10 min vi e t’vras”.

Motivi i këtyre rasteve dyshohet të jetë mosmarrëveshja për pronë mes dy palëve. Viktima u kërcënua pikërisht në kohën sa ishte duke kryer punime në tokën e tij.

Përballë kësaj situate, viktima ka kërkuar sërish ndihmën e Policisë. Denoncimi i tij aktivizoi njësitet policore, me ç’rast i dyshuari u shpall në kërkim.

Pas disa orësh tre anëtarë të familjes Shaqiri u arrestuan dhe u shoqëruan në stacion policor. Me rastin e kontrollit policor, te njëri nga të dyshuarit u gjet edhe një armë që u konfiskua.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit ndaj tyre është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh.

Lexo edhe:  Emocionuese: Letra që iu gjet në xhep ushtarit të vrarë të Mujë Krasniqit, Astritit