Ndalohet një furgon me mallra të kontrabanduara prej 20 mijë eurosh në Han të Elezit, një i arrestuar

Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të ndalimit të kontrabandës në zonën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Rasti ka ndodhur më 22 dhjetor, e diel, në fshatin Dimcë të Hanit të Elezit.

Njësitet patrulluese të Policisë Kufitare kanë vërejtur një automjet tip furgon, pa targa, duke kaluar kufirin përmes rrugëve malore.

Pas një ndërhyrjeje të menjëhershme, autoritetet kanë arritur të ndalojnë automjetin dhe kanë kapur dy persona të dyshuar, të cilët ishin duke kontrabanduar mallra të ndryshme.

“Lidhur me këtë automjet të dyshuar njësitë policore menjëherë kanë ndërmarrë veprime dhe si rezultat kanë arritur që ta kapin në flagrancë, me ç’rast janë hasur drejtuesi i automjetit mashkull kosovar së bashku me të dyshuarin tjetër mashkull kosovar të cilët janë kapur duke kontrabanduar mallra të ndryshme, gjithsej 573 artikuj në vlerë rreth 20.000.00 euro”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Sipas Policisë, vlera e mallrave të sekuestruara arrin në rreth 20 mijë euro, ndërsa automjeti dhe artikujt kontrabandë janë dorëzuar në terminalin doganor.

Me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, drejtuesi i automjetit është ndaluar për 48 orë, ndërsa i dyshuari tjetër është liruar për procedurë të rregullt.

Lexo edhe:  Konflikt familjar në Drenas: 55-vjeçari kërcënon vëllain e tij pas një mosmarrëveshje, përfundon në ndalim