Ky është themeluesi i ‘AS Kastrioti’ i arrestuar për zhvatjen e rreth 10 mijë eurove në Obiliq

Një aksion i zhvilluar nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, që rezultoi me dy persona të arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për konflikt interesi, pas një hetimi të zhvilluar lidhur me dyshimet për mashtrimin e ndarjes së subvencioneve në Komunën e Obiliqit.

Kryetari i komisionit për ndarjen e granteve në Obiliq dhe monitoruesja e implementimit të subvencioneve, përfunduan në pranga dhe rasti është konfirmuar nga Policia e Kosovës.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se dy të arrestuarit janë Armend Mirena, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor, si dhe A.Arifi., e cila është liruar për t’u hetuar në procedurë të rregullt.

Mirena po dyshohet se në cilësi të kryeartit të komisionit për ndarjen e granteve, ka ndarë një subvencion në vlerë prej 9 mijë e 900 euro për klubin e basketbollit ‘AS Kastrioti’, në të cilin ka qenë vet themelues.

Por, në kohën e ndarjes së subvencionit, klubi i basketbollit nuk ka qenë fare aktiv dhe paratë e ndara gjoja për këtë klub, dyshohet se Mirena i ka marrë vet, duke përfituar kundërligjshëm.

Dosja e rastit thotë se monitoruesja e arrestuar dyshohet se ka përpiluar një raport të rrejshëm se e ka monitoruar klubin ‘AS Kastrioti’ nga afër, me qëllim që Mirenës t’i mundësohet përfitimi i të hollave.

Dy të dyshuarit janë intervistuar nga hetuesit policorë lidhur me veprat me të cilat ngarkohen dhe më pas Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që Mirena të dërgohet në mbajtje për 48 orë.

Brenda afatit ligjor, ndaj tij pritet të ushtrohet kërkesa për masën e sigurisë.

Lexo edhe:  Shkelja e dy këmbësorëve në Ozdrim, familja Shala i zgjatë dorën e pajtimit familjes Elshani