Hamza: Pagat do të rritën 50%, pensionet bazike mbi 70%

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, tha se në fillim të mandatit të tij do t’i rris pagat e sektorit publik me 50 për qind.

Hamza tha se në rritjen e pagave prej 50 për qind do të përfshihen mjekët, infermierët, policët, ushtarët, zjarrfikësit, shërbyesit civilë.

“Pagat duhet të rriten dhe në programin tim, jam matur shumë, e kam kalkuluar shumë, e kam thënë dhe i qëndrojë mbrapa se për mjekë, infermierë, mësues, policë, ushtarë, zjarrfikës, shërbyes civilë, rritja do të jetë 50% dhe kjo rritje do të jetë në vitin e parë të qeverisjes”.

“Ideja e sektorit privat, duhet të themelohet Gjykata e Punës, e cila do të merret me zgjidhjen e kontesteve që dalin prej kontratave të punës. Duhet të krijohet Fondi i Papunësisë. Në rast se dikush e humb vendin e punës, jo të jetë i detyruar që të shkojë dhe të kërkojë asistencë sociale, por për 6 muaj derisa të ristrukturohet të jetë i kompensuar së paku me 80 për qind të pagës së fundit”, tha Hamza në “DPT te Fidani” në Klan Kosova.

Tutje, ai tha se rritje do të ketë edhe për pensionet bazike, për të cilët tha se rritja do të jetë mbi 70 për qind, qysh në fillim të mandatit.

“Përveç rritje të pagave, do të ketë rritje edhe të pensioneve bazike me mbi 70 për qind. Edhe ato vitin e parë të qeverisjes, fillimin e mandatit. E di që edhe në të kaluarën kur kam deklaruar, ka qenë vështirë, ka pasur ballafaqime edhe me institucione të ndryshme financiare ndërkombëtare, kam besuar në projekt dhe ka dalë se ka qenë mirë. Edhe në të kaluarën kam premtuar 50 për qind rritje të pagave dhe ka ndodhur”, tha ai.

Lexo edhe:  Hajnat hyjnë të grabisin në një shtëpi në Mitrovicë të Veriut, e bëjnë llom 84-vjeçaren që s’u dha para