Lajm i mirë: Nga sot, uji mund të përdoret për pije
Pas më shumë se një jave, uji që vjen nga ujësjellësi “KRU Mitrovica” mund të përdoret për pije, shkruan Jepi zë.
Kështu ka njoftuar Instituti Kombëtar për Shëndetin Publik, i cili vazhdimisht ka kryer analiza rreth cilësisë së ujit që nga sulmi terrorist në kanalin kryesor të Iber Lepencit në Zubin Potok.
Postimi i plotë:
Komunikatë për media
Që nga dita e parë e ngjarjes së fundit në kanalin Ibër-Lepenc, datë 29.12.2024, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) dhe Qendra Rajonale e Shëndetësisë Publike në Mitrovicë (QRSHP) ka forcuar monitorimin e ujit për pije në zonën e shërbimit të KRU “Prishtina” dhe KRU”Mitrovica”, në Impiantet e trajtimit në Shipol, Balincë, Drenas dhe Shkabaj.
Nga data 29 nëntor deri me 06 dhjetor janë aplikuar restrikcionet në rrjetet shpërndarëse të këtyre dy kompanive si pasojë e veprimeve të ndërmarra për sanimin e gjendjes në kanal.
Bazuar në të dhënat nga KRU “Mitrovica” dhe KRU”Prishtina” me aktivizimin e By-pass, furnizimi me ujë nga kanali Ibër-Lepenc është stabilizuar në të gjitha Impiantet e lartëcekura për trajtimin e ujit, prandaj që nga data 07.12.24 nuk ka pasur restrikcione që nënkupton furnizim me ujë për konsumatorët për nevoja teknike (higjieniko-sanitare).
IKSHPK gjatë këtyre ditëve nga të gjitha impiantet e lartëcekura ka marrë gjithsej 100 mostra të ujit për analiza fiziko-kimike, 100 për analiza bakteriologjike si dhe 13 mostra për analiza në metale të rënda (në ujin e pa trajtuar dhe ujin nga rrjeti shpërndarës).
Rezultatet laboratorike nga dy laboratoret , IKSHPK dhe QRSHP-Mitrovicë, për katër ditët e fundit (e premte, e shtunë, e diele dhe e hënë, 06-09 dhjetor-2024) rezultojnë brenda standardeve të parapara për ujin e pijes për të gjithë parametrat e kërkuar sipas UA 10/2021 ”Cilësia e Ujit të destinuar për konsum nga njeriu”.
Prandaj bazuar në këto rezultate:
Uji që nga sot (09.12.2024) mund të përdoret për pije.
IKSHPK i rekomandon KRU “Mitrovica” dhe KRU “Prishtina” që të vazhdojë mbikëqyrjen dhe trajtimin e ujit dhe të sigurojë ujë në sasi dhe cilësi, sipas standardeve për ujin e pijes bazuar në UA 10/2021 ”Cilësia e Ujit të destinuar për konsum nga njeriu”.
IKSHPK falënderon qytetarët për mirëkuptimin e shprehur gjatë tërë kësaj periudhe dhe i siguron ata se do të vazhdojë me monitorim të rregullt të cilësisë së ujit me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve.
Bashkëpunimi i IKSHPK-së me KRU “Mitrovica” dhe KRU “Prishtina” do te jetë i vazhdueshëm për të garantuar furnizim me ujë, në sasi dhe cilësi, për të gjithë qytetarët.
IKSHPK apelon te qytetarët që t’i referohen vetëm informatave zyrtare të IKSHPK-së dhe KRU-ve përkatëse.