Komuna e Prishtinës reagon ndaj vandalizmit të këshilltarit të VV-së

Komuna e Prishtinës ka reaguar ndaj sjelljes së asambleistit të Lëvizjes Vetëvendosje Gëzim Sveçla, i cili sot ka demoluar pajisjet në Kuvendin komunal.

“Dënojmë ashpër dhe me indinjatë të thellë sjelljen e këshilltarint të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, i cili vandalizoi sallën e Kuvendit Komunal, duke përdhosur institucionin dhe duke sfiduar parimet bazë të demokracisë.

Ky akt është një goditje brutale ndaj vlerave tona institucionale dhe një fyerje ndaj qytetarëve që presin nga përfaqësuesit e tyre të mbrojnë dhe avancojnë interesat e përbashkëta, jo të shkatërrojnë atë që u përket të gjithëve.

Prej muajsh, këshilltarët e Vetëvendosjes kanë bllokuar çdo iniciativë në të mirë të qytetarëve, duke përfshirë këtu edhe miratimin e buxhetit me qëllim që të krijojnë ngërç dhe të bllokojnë ofrimin e shërbimeve jetike për qytetarët.

Sot, Vetëvendosje e demaskoi veten, duke dëshmuar se qëllimi i tyre i vërtetë ka qenë dhe mbetet: përdhosja e institucioneve dhe penalizimi i qytetarëve.

VIDEO

Kjo sjellje është një akt i turpshëm që meriton dënimin e çdo qytetari dhe të çdo institucioni demokratik.

Kërkojmë nga organet e rendit që ta trajtojnë këtë rast me seriozitet maksimal, si për pengesën që iu bë përfaqësuesve në ushtrimin e detyrave të tyre kushtetuese, ashtu edhe për dëmtimin e pronës publike.

Institucionet nuk janë fushëbeteja të interesave të ngushta politike, por baza mbi të cilën qëndron mirëqenia e qytetarëve. Veprime të tilla nuk janë vetëm të papranueshme, por edhe të rrezikshme për stabilitetin tonë si shoqëri demokratike”, thuhet në reagimin e Komunës.

Lexo edhe:  Pejani incizon marrëdhëniet seksuale me partneren dhe ia shpërndan videot