Ofrohen 5 mijë euro dorëzani që Smakaj të lirohet me kusht

Për ish-shefin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Bashkim Smakajn, u ofruan 5 mijë euro dorëzani që ai të lirohet me kusht.

Kërkesa u bë nga mbrojtja e të akuzuarit Bas Martenes, në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Avokati tha se Smakaj është i gatshëm të dorëzojë pasaportën e tij dhe të raportoj tek EULEX-i e po ashtu të respektojë të gjitha kushtet që mund të dalin nga vendimi i gjyqtares në rast që aprovohet kërkesa, raporton Betimi për Drejtësi.

Martenes, u deklarua edhe për arsyet e arratisjes së ish-kreut të AKI-së, të cilat i ka përmendur ZPS-ja.

Avokati tha se që nga koha e bastisjeve në Kosovë në vitin e kaluar, klientit të tij iu kishin marrë disa sende të cilat ZPS-ja nuk ia ka kthyer dhe si rrjedhojë Smakaj e kishte kuptuar se çështja e ZSP-së nuk ishte përfunduar.

“Flasim për arsyet: rreziku i arratisjes- është informacion publik dhe mund ta gjeni edhe në media këtë informacion se klienti im ka qenë një objekt kërkimi më 30 shtator më shumë se përpara një viti. Në atë kohë i janë konfiskuar disa sende,  u kontrollua shtëpia e tij por në ato kohë nuk u arrestua në ato momente. Me sa duket, nuk u gjykua e domosdoshme që të arrestohet në ato momente. Nga ky moment e në vijim, me sa kuptoj nga klienti im, kjo çështje nuk është mbyllur sepse shumë prej sendeve që janë kontrolluar dh sekuestruar nuk i janë kthyer më klientit tim. Pra, klienti e dinte shprehimisht se çfarë po ndodhte në këto momente dhe çështja e tij ishte në vazhdime sipër nga ZPS-ja dhe e dinim që kjo ishte një çështje që do gjykohej nga DhSK-ja sepse ZPS-ja ishte që bëri kontrollin në shtëpinë e tij. Kjo është relevante për arsyen që ju u shprehet që ekziston rreziku i arratisjes”, tha ai.

Lexo edhe:  Dëshmitari tregon detaje për vrasjen në Skënderaj: Ishte maskuar e me veshje ushtarake

Si rrjedhojë, avokati tha se që nga kërkimi në shtëpinë e tij që u bë nga ZPS-ja ai nuk u largua nga shtëpia e tij dhe vazhdoi jetën.

Ndërsa për arsyen e pengimit të drejtësisë, avokati tha se në aktakuzë flitet për disa raste të izoluara që i takojnë verës dhe vjeshtës së 2023-ës.

“Unë nuk kam pa në dokument ndonjë rast të tjetër të kryer në periudhën e mëparshëm. Në fakt nuk ka arsye që na len neve të dyshojmë që klienti do të vijojë të kryej vepra penale për të cilat dyshohet aktualisht. Kjo është relevante për faktin se nëse klienti do ta pengonte drejtësinë, ai nuk e ka bërë e pse duhet ta bëjë diçka të tillë”, tha ai.

Avokati tha se në bazë të dokumenteve që u janë dhënë, nuk ka informacion nëse klienti i tij ka shkatërruar ndonjë provë. Si rrjedhojë, ai tha se nuk ka rrezik që klienti i tij t’i përsëris veprat penale për të cilat dyshohet.

Martenes  tha se klienti i tij është familjar dhe duhet ta mbaj familjen e që si kërkesë pati lirimin me kusht të Smakajt duke ofruar dorëzani në vlerë të pesë mijë eurove.

Prokuroi tha se këto që tha avokati nuk e ndryshojnë qëndrimin e tyre dhe foli për çështjen e bastisjeve që i ngriti avokati.

Ai tha se tani ka një aktakuzë të konfirmuar dhe është krejtësisht ndryshe situata nga ajo kur është bërë bastisja.

Gjyqtarja tha se do të nxjerrë vendimin pas një pushimi të shkurt e që pastaj pritet të përfundojë seanca.