Vjedhja në shtëpinë e kryetarit të Istogut, reagon Ferati: U vodh një pjesë e trashëgimisë familjare

U raportua sot gjatë ditës për një vjedhje të rëndë në komunën e Istogut, ku cak i grabitjes ishte shtëpia e kryetarit të kësaj komune, Ilir Ferati.

Ai e ka denoncuar rastin të premten në Polici dhe bazuar në dëshminë e tij, hajnat kanë arritur që të vjedhin hiç më pak se 30 mijë euro ‘cash’, si dhe ari në vlerë të rreth 7 mijë eurove.

E lidhur me këtë rast, ka reaguar i pari i kësaj komune në rrjete sociale ku ka thënë kjo grabitje e ka tronditur thellësisht ndjenjën e sigurisë së familjes së tij.

Ai tha se persona të papërgjegjshëm kanë depërtuar me forcë, duke shkaktuar “dëmtime materiale dhe duke vjedhur edhe një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sime familjare, me vlerë të madhe shpirtërore dhe historike për mua dhe familjen time”.

Tutje ai tha se ky veprim i papranueshëm ka shkaktuar jo vetëm dëm ekonomik, por ka tronditur thellësisht ndjenjën e sigurisë së familjes sime dhe timen, si qytetar dhe si Kryetar Komune.

Ferati u bëri thirrje organeve të drejtësisë dhe institucioneve përgjegjëse që të angazhohen me përkushtim për zbardhjen e plotë të rastit dhe nxjerrjen para drejtësisë të autorëve të këtij akti të dënueshëm.

Lexo edhe:  Bekë Berisha tallet me Muharremin: Pse s’po i tëhollon petët e laknorit, po përzihesh në kontrabandë të armëve