Me të kaluar të dyshimtë për fajde e dhunë – Polici Flamur Rexhaj dërgohet të ligjërojë para nxënëseve në Pejë

Polici Flamur Rexhaj është dërguar për të mbajtur një ligjëratë para nxënësve në Pejë, ndonëse ka një të kaluar të dyshimtë lidhur me akuzat për fajde dhe dhunë. Rexhaj ishte suspenduar disa vite më parë, pas një denoncimi të bërë nga vëllai i tij, Shaqir Rexhaj, për përfshirjen e tij në aktivitete të paligjshme, konkretisht për fajde, shkruan Insajder

Avokatja Shemsije Asllani, që përfaqëson palën denoncuese, ka konfirmuar rastin për Gazetën Insajderi, duke sqaruar se ai ka ndodhur në vitin 2006, ku fillimisht është bërë një shënim zyrtar.

“Pala ime e dëmtuar nuk e ka pranuar dhe është ankuar në Prokurori. Ky është një rast që ka ndodhur në vitin 2006, nga transferet bankare të bëra në atë kohë,” tha Asllani.

Rexhaj, së bashku me kolegun e tij Alban Tolaj, ishte arrestuar për fajde në vitin 2008, pas një ankese të bërë nga një qytetar nga Peja, i cili pretendonte se ata e kishin kërcënuar me qëllim që t’i merrnin përfitime joproporcionale nga ai.

Policia kishte bastisur shtëpitë e të dyshuarve dhe kishte konfiskuar një shumë prej 27.000 eurosh, si dhe armë të ndryshme, përfshirë një pushkë “Karabinë”, një revole 7.65 mm, një AK 47, një pistoletë “Glock” dhe një sasi municioni.

Përveç këtyre akuzave, në media ishin publikuar edhe pamje ku Rexhaj shihej duke sulmuar fizikisht një qytetar në stacionin e policisë në Pejë.

Gazeta Insajderi e ka kontaktuar Rexhajn për ta pyetur se a i kanë penguar këto raste që të ligjëroji para nxënëseve, por i njëjti ende nuk ka kthyer përgjigje.

Pra, këto ngjarje nuk e kanë penguar atë që të vazhdojë aktivitetin e tij dhe të ligjërojë para nxënësve.

Lexo edhe:  Drenicasi që mbështet Kurtin ia lë emrin fëmijës Albin: Kërkon bakshish për Albinin e vogël