Grabitje në një market në Prishtinë: Tmerrohet punëtorja, hajni ‘avullon’ 400€ nën kërcënimin e thikës

Marketet në vendin tonë jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët, ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese. Vjedhjet e grabitjet shpesh kryhen edhe nën kërcënimin e armës e mjeteve të tjera të rrezikshme, siç ndodhi së fundmi në Prishtinë.

Sinjali mëson se rasti ka ndodhur në një market në lagjen Ulpianë në Prishtinë dhe është denoncuar nga punëtorja e marketit, e cila kërkoi ndihmën e Policisë pasi u përballë me hajdutin që e tmerroi.

Sipas informacioneve të para, i dyshuari ka qenë i maskuar dhe nën kërcënimin e një thike, ka arritur t’i grabis rreth 400 euro para të gatshme dhe më pas është zhdukur.

Me t’u raportuar rasti, njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e hajnit.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Grabitje’, teksa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.

Lexo edhe:  Zbulohet kush do të jetë producente e Big Brother VIP Kosova 3