IPK arreston zyrtarin policor që ishte përfshirë në aksidentin te “Dëshmorët e Kombit” ku mbeti i vdekur një person

Pas rreth dy javësh trajtim mjekësor, shoferi që shkaktoi aksidentin në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Prishtinë, ka humbur jetën të dielën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Burimet brenda QKUK-së kanë bërë me dije se viktima ishte duke u trajtuar në Mjekësinë Intensive Qendrore, ku edhe vdiq dje pasdite.

Sinjali ka mësuar se bëhet fjalë për Adem Llaushën, rreth 67-vjeçar.

Llausha u aksidentua me një veturë të Policisë, mëngjesin e 5 nëntorit, ku u lënduan edhe pesë zyrtarë policorë.

Për rastin, IPK ka arrestuar sot një zyrtar policor, të dyshuar për “Rrezikim të trafikut publik”.

“Sot nga IPK është arrestuar zyrtari policor më dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” dhe të njëjtit me aktvendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”.

Ekskluzive: Lëndohen pesë policë dhe shoferi i veturës që dyshohet se e goditi veturën e Policisë

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë arrestuar sot një zyrtar policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” në një aksident trafiku me veturë zyrtare”.

“Në këtë aksident ishin përfshirë dy vetura, një veturë zyrtare e Policisë së Kosovës e modelit Skoda Octavia dhe një veturë private e modelit Skoda Karoq të cilën ka qenë duke e drejtuar një qytetar i Vushtrrisë”.

“Zyrtari policor i cili ishte duke drejtuar veturën zyrtare është suspenduar me rekomandim të IPK-së ditën e aksidentit”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Lexo edhe:  Publikohet fotografia e 14-vjeçarit që vrau të paktën nëntë persona në shkollën e tij në Beograd