Kurti: Jemi të interesuar ta zgjerojmë bashkëpunimin me ShBA-në, punojmë me çdo administratë

Pas seancës në Kuvend, ku dhe prezantoi Projektbuxhetin për vitin 2025, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vizitoi Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, e që më pas u pyet nga gazetarët edhe për zgjedhjet presidenciale në ShBA, ku Donald Trump u shpall fitues.

Kreu i qeverisë tha se me ShBA-në bashkëpunojnë në mënyrë të pazëvendësueshme, me gjithë përkushtimin dhe seriozitetin.

Ai përmendi se si qeveri janë të interesuar që edhe më tej ta zgjerojnë bashkëpunimin, ndërsa shtoi se me çdo administratë amerikane Kosova do të bashkëpunojë.

“Ne bashkëpunojmë më ShBA në mënyrë të pazëvendësueshëm dhe me gjithë përkushtimin dhe seriozitetin tonë, presidenti i ardhshëm në një letër urimi që pati dërguar një pararendësi, para nesh, pat vendosur në thelb njohje reciproke si diçka qendrore midis raporteve Kosovë dhe Serbi, dhe jemi më të interesuar këtë bashkëpunim dhe ta zgjerojmë”, tha Kurti.

Po ashtu, ai u shpreh se Kosova do të bashkëpunojë me çdo administratë amerikane.

Para gazetarëve, Kurti foli edhe për Projektbuxhetin e vitit 2025, për të cilin tha se është gabim nëse opozita nuk e voton.

“Ne jemi optimist gjithmonë dhe besojmë që do t’i kalojmë të dy leximet për projektbuxhetin e vitit 2025, është një buxhet zhvillimor dhe i mirëqenies, dhe unë mendoj që është gabim nëse opozita vetëm për shkak se është opozitë konsideron që duhet të mos e votojë projektligjin për buxhetin 2025. Me këtë rast po zhvillohet debati në Kuvend, dhe besoj që nëse jo në orët e pasdites së vonë atëherë më së largu në orët e mbrëmjes do ta marrim vesh se kush prej deputetëve do të qëndrojë e si do të votohet”, deklaroi Kurti.

Lexo edhe:  Dy protestues serbë në rrezik për jetën pas përleshjeve me KFOR-in