Prokuroria me aksion kundër degradimit të mjedisit në Prevallë, sekuestrohen tre eskavatorë dhe një kamion

Prokuroria Themelore në Prizren, ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me inspektorë nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, kanë realizuar dy aksione të ndara në Prevallë kundër degradimit të ambientit.

Në të dyja rastet, në bashkëpunim me mbikëqyrësit e parkut kombëtar “Sharri”, janë sekuestruar tre eskavatorë dhe një kamion si mjete të kryerjes së veprës penale, pajisje me të cilat ilegalisht po degradohej mjedisi, dhe është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Ndërtimi pa leje” nga neni 359, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Brenda afatit ligjor nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, në të dyja rastet e ndara janë duke u ndërmarrë veprime procedurale në drejtim të lëshimit të urdhrit të përkohshëm ndalues dhe paraqitjes së kërkesës në gjykatë për lëshimin e urdhrit ndalues përfundimtar së bashku me masën e përkohshme përkatëse”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Themelore në Prizren thekson se  mbetet e përkushtuar maksimalisht në luftimin e dukurive të tilla të kundërligjshme që degradojnë ambientin dhe u bënë thirrje qytetarëve për bashkëpunim në luftimin e kësaj dukurie degraduese.

Lexo edhe:  Nga “therja me thikë” te “goditja me shkop” – versionet e ndryshme të Policisë dhe Prokurorisë për rastin tragjik