Buxheti prej 3.6 miliardë euro sot në Kuvend – opozita kundër, pushteti thotë se i ka votat

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë plenare ku në rend dite do të jetë shqyrtimi i projekt-buxhetit për vitin 2025.

Ky projekt-buxhet në vlerë prej 3.6 miliardë euro, përfshin rritje të investimeve në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturën publike, duke synuar përmirësime të mëdha në këto sektorë.

Ndërsa qeveria ka theksuar rëndësinë e këtyre fondeve për zhvillimin ekonomik, opozita e ka kundërshtuar duke e cilësuar si të dëmshëm këtë projekt-buxhet.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka deklaruar se: “Ky buxhet ka probleme ligjore dhe kushtetuese.”

Po ashtu, përfaqësues të opozitës kanë shprehur dyshime për alokimin e fondeve dhe kanë bërë të ditur se nuk do ta mbështesin propozimin.

Ata kërkojnë që të vendoset më shumë theks tek nevojat bazë të qytetarëve dhe shërbimet sociale, duke shprehur shqetësim se ky buxhet mund të mos arrijë të zgjidhë sfidat aktuale.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka deklaruar se edhe AAK-ja do ta kundërshtojë buxhetin.

“Buxheti i kësaj qeverie është buxheti i cili e konfirmon mbytjen e zhvillimit ekonomik. Ne nuk e votojmë këtë buxhet”, ka deklaruar Tahiri.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ka thënë se buxheti i prezantuar është i planifikuar dobët dhe që s’do të ketë rezultate konkrete në implementimin e tij.

“Një buxhet i planifikuar dobët. Si pasojë e kemi edhe një realizim të keq të buxhetit. Kur e shohim rezultatin e implementimit, sigurisht ndërlidhet me planifikimin e dobët dhe të keq të tij”, tha Lushtaku.

Kurse shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se ata e kanë shumicën parlamentare dhe se sa i përket deklarimit të opozitës se nuk do ta votojnë buxhetin, ka thënë se është çështje e vendimmarrjes së tyre.

Lexo edhe:  Sulmohet brutalisht një bullgar në Prishtinë, 30-vjeçari dërgohet në gjendje të rëndë në QKUK

Kalimi i projektligjit bëhet përmes shumicës së thjeshtë të deputetëve 50+1 përqind.

Buxheti për vitin 2025 pritet të jetë 3.6 miliardë euro.