I dehur shkaktoi aksidentin me fatalitet te Ura e Topliqanit, ngritet aktakuzë ndaj shoferit të dyshuar

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të dyshuarit për aksidentin me fatalitet, më 15 gusht të këtij viti, në rrugën Suharekë – Prizren, saktësisht në vendin e quajtur “Ura e Topliqanit”. Adem Qamaj humbi jetën pasi u godit me veturë nga i dyshuari, teksa ishte duke lëvizur me automjetin e tij në atë pjesë, raporton Gazeta Sinjali.

Shoferi i arrestuar dyshohet se ka vozitur në gjendje të dehur dhe pa patentë shofer, kur mëngjesin e 15 gushtit, godet veturën e viktimës.

Sipas aktakuzës, “me datë 15.08.2024 rreth orës 06:15min, në rrugën Suharekë – Prizren, saktësisht në vendin e quajtur “Ura e Topliqanit” në Komunën e Suharekës, i pandehuri B.Q., duke drejtuar automjetin e markës “Mercedes”, në kundërshtim me Ligjin Nr.08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor, drejton automjetin pa patentë shofer dhe nën ndikimin e alkoolit, me sasi të alkoolit në ajër prej 0.68 promila, ashtu që në këtë gjendje të dehur sa ishte duke lëvizur përgjatë rrugës Suharekë – Prizren, me të kaluar vendin e quajtur “Ura e Topliqanit”, në kthesën e ashpër në të djathtë nuk e përshtatë shpejtësinë e lëvizjes, humb kontrollin e automjetit dhe kalon në shiritin e kundërt të rrugës, dhe godet veturën tjetër të tipit “Audi 89” të cilën ishte duke e drejtuar tashmë i ndjeri A.Q., i cili mbetet i vdekur në vendin e ngjarjes, përderisa pasagjeri B.G., i cili ishte në veturën e të pandehurit pëson lëndime të rënda trupore, të përshkruara sikurse në akt ekspertimin mjeko – ligjor. Me këto veprime, ka kryer veprën penale “Ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur”, nga neni 371 i KPRK-së.”

Përveç për veprën “Ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur”, ai dyshohet edhe për “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Lexo edhe:  Pas videos së publikuar, Fjolla Morina kërcënohet me jetën e vajzës

Po ashtu, “me datë 15.08.2024, rreth orës 08:00min, në Suharekë, saktësisht në objektin e emergjencës, pa autorizim posedon narkotikë, substanca psikotrope apo analoge, në atë mënyrë që pasi merr trajtimin mjekësor, shkon në tualetin e emergjencës, e hedh një qese plastike me substancë të dyshuar për narkotik, të cilën zyrtarët policor e gjejnë dhe e njëjta dëshmi më datë 15.08.2024 ekzaminohet përmes testit fushor “M.M.C. International B.V. Canabis Test” (i njohur ndërkomtarisht) dhe e njëjta rezulton pozitiv për prezencë të narkotikut, me peshë prej 1.13 gram me prezencë të canabisit – marihuana. Me këto veprime B.Q., , ka kryer veprën penale “posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 269 sipas KPRK-së.”

Prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, i njëjti të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Po ashtu, është propozuar vazhdimi i masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.