Arrestohen një zyrtar policor dhe një zyrtar doganor të dyshuar për marrje ryshfeti

Një zyrtar policor dhe një zyrtar doganor mbrëmë kanë përfunduar në prangat e Policisë së Kosovës, pasi dyshohet se janë përfshirë në një rast të korrupsionit, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas njoftimit, dy të dyshuarit kishin pranuar ryshfet nga drejtuesit e kamionëve në pikën kufitare në Han të Elezit, me ç’rast pas arrestimit iu është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Mbrëmë Task Forca e përbashkët Doganë-Polici në zbatim të masave për parandalim dhe luftimin e paligjshmërisë dhe kontrabandës, kanë identifikuar një rast korrupsioni ku të dyshuar ishin një zyrtar doganor dhe një zyrtar policor.

Menjëherë pas dyshimit se zyrtarët në koordinim merrnin pagesa të jashtë ligjshme u njoftua Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe njësitë relevante të Doganës të cilët në koordinim realizuan arrestimin  e një zyrtari doganor dhe një zyrtari policor për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme.

Të dy zyrtarët u ndaluan nën dyshimin se kishin bashkëpunuar për marrje të parave nga drejtues të kamionëve për të lehtësuar kalimet nëpër Pikën Kufitare Hani i Elezit. Dy të arrestuarit do të përballen me procedurat ligjore në përputhje me dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe  të njëjtëve me aktvendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, shkruhet në njoftim.

Lexo edhe:  Kurti nis takimin me diplomatët evropianë