Gazetari Vehbi Kajtazi: Nuk ndjehem i sigurt

Pasi u zbulua një “pajisje e dyshimtë” në veturën e tij, gazetari Vehbi Kajtazi ka reaguar duke thënë se nuk ndjehet i sigurt.

Pajisja e dyshimtë që u zbulua në veturën e Kajtazit, sipas Policisë, dyshohet se është GPS (Sistemi Global i Pozicionimit), pajisje që tregon vendndodhje. Kajtazi ka kërkuar që të vërtetohet se kujt i përket pajisja e dyshimtë dhe kush e ka vendosur atë në veturën e tij.

“Si gazetar që kam shprehur shqetësime të vazhdueshme për përndjekje nga pushteti, kërkoj që të vërtetohet se kujt i përket pajisja, kush e ka vendosur dhe a ka bazë ligjore. Unë tashmë nuk ndjehem i sigurt, ndonëse nuk ua kam frikën. Po konfirmohet se nuk ka siguri juridike më. Mbase as fizike” – ka shkruar Kajtazi në Facebook.

Më tej, në reagmin e tij, Kajtazi e përshkruan pajisjen e dyshimtë se është prodhim britanik me SIM kartë dhe internet, dhe sipas tij, është lehtë e verifikueshme se kujt i përket.

“Kërkoj që këtë rast ta marrë Prokuroria Speciale. Po ashtu, kërkoj që gjatë procesit të ekzaminimit të saj të jenë të pranishëm edhe avokatët e mi” – ka shtuar ai.

Kajtazi gjithashtu ka njoftuar se pajisja është tërhequr nga vetura nga Njësitë e specializuara të Policisë dhe se është bërë kontrolli i veturës për ndonjë mjet tjetër të dyshimtë, por nuk është zbuluar ndonjë gjë.

Lexo edhe:  Lajm i mirë për Drenicën, paralajmërohet hapja e një fabrike të madhe të kërpudhave