Kurti i hareshëm, kërcen në valle për asfaltimin e një rruge

Kryeministri Albin Kurti ia ka hedhur valles tok me zëvendësministrin, Hysen Durmishin për asfaltimin e një rruge.

Teksa ia kanë rrahur tupanin përpara, Kurti ka hyrë në valle pasi u pre shiriti për asfaltimin e rrugës prej 6.3 kilometrave që lidh zonën kufitare të Kosovës me Shqipërinë.

Fshatrat Kërstec, Pakishtë dhe Zapod tek tani në vitin 2024 janë bërë me rrugë të asfaltuar.

Pamjet duke vallëzuar popullorçe i ka publikuar vetë kryeministri Kurti.

“Ishin të lidhur me rrugë me shumë gropa që u shkaktonte vështirësi të mëdha për qarkullim. Tani lidhjen e kanë më të fortë sepse do të jenë më shpejt pranë njëri-tjetrit. Banorët e fshatrave që lidhin brezin tonë kufitar me atë të Republikës së Shqipërisë, Kërstec-Pakishtë-Zapod, nga tash e tutje do ta kenë më të lehtë qarkullimin me infrastrukturën e re rrugore të cilën e përuruam sot”, ka shkruar ai.

“Përurimi i rrugës Kërstec-Pakishtë-Zapod, me gjatësi 6.3 kilometra dhe investim prej 2.6 milionë euro, na përcolli me pritje të ngrohtë dhe me këngë dhe valle. Si për të na treguar mikpritjen e bujshme shqiptare dhe sesa e rëndësishme është kjo rrugë për ta, na bënë pjesë të festës e gëzimit të tyre edhe mua, ministrin Liburn Aliu, zëvendësministrin Hysen Durmishi, Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Petrit Malaj, ambasadorin tonë në Shqipëri, Skender Durmishi, Kryetarin e Bashkisë së Kukësit, Albert Bislim Halilaj, deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, njëherësh ish-kryeministri i Shqipëri, Pandeli Majko, dhe ish-ambasadorin, Qemal Minxhozi”, ka njoftuar ai.

Sipas tij, kjo rrugë është njëra nga tre rrugët pjesë e protokollit të nënshkruar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në shtator të vitit 2023. Ajo lidh fshatrat Pakishtë dhe Zapod të Shqipërisë me Republikën e Kosovës, përkatësisht komunën e Dragashit. Dy rrugët tjera janë Rruga Blinishtë – Dobrunë, që tashmë është ndërtuar, dhe rruga Gorozhup – Pogaj që është në ndërtim e sipër.

Lexo edhe:  Vrasja e të riut në Klinë, dëshmitari tregon se çka pa natën kritike