Suspendohen dy policë lidhur me pretendimet për keqtrajtimin e një qytetari në veri

Zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar për Reporteri.net suspendimin e dy policëve, për të cilët një qytetar i Mitrovicës së Veriut ka pretenduar se e kanë keqtrajtuar.

Suspendimi i tyre u rekomandua sot nga Inspektorati Policor i Kosovës.

“Duke ju referuar pretendimeve për keqtrajtim nga policia në Mitrovicën e Veriut lidhur me një incident në sheshin “Car Llazar” të datës 26 tetor 2024, hetuesit e IPK-së kanë rekomanduar sot suspendimin e dy zyrtarëve policorë (një rreshter dhe një zyrtar policor) të angazhuar në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut. Rekomandimi për suspendim është bërë në interest të hetimit me dyshimin se të njëjtit janë të përfshirë në keqtrajtimin e qytetarit në këtë rast”, është thënë në njoftimin e Inspektoratit.

Në fund të njoftimit thuhet se IPK do të ndërmerr edhe veprime të tjera hetimore në koordinim me prokurorinë kompetente për të sqaruar rrethanat e këtij rasti.

Lexo edhe:  E theri një person me thikë pas përplasjes në komunikacion, dorëzohet në polici i dyshuari - mësohet emri dhe mosha