Vesel Demaku, përforcimi i radhës te Kosova

Vesel Demaku, përforcimi i radhës te Kosova

Mesfushori defensiv i skuadrës së Altachut nga Austria, Vesel Demaku ka vendosur që të luaj për Kombëtaren e Kosovës, ka njoftuar të hënën FFK-ja.

Ish-reprezentuesi i Kombëtares U21 të Austrisë, të hënën ka qëndruar në selinë e FFK-së, ku është takuar edhe me kreun e këtij institucioni, Agim Ademin.

Me të marrë konfirmimin nga shteti austriak për dyshtetësi, Demaku pa hezitim dhe me zemër, ka vendosur ta përfaqësoj Kosovën dhe të jap kontributin e tij në fanellën e “Dardanëve”.

Kreu i FFK-së, Ademi ka vlerësuar lart vendimin e mesfushorit 24-vjeçar, të cilin e ka përgëzuar për përkushtimin e tij dhe ka shtuar se lojtarë me potencial si Demaku janë gjithmonë të mirëseardhur te Kosova.

Demaku pritet të ftohet nga përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda për grumbullimin e muajit të ardhshëm, ku “Dardanët” do të përballen me Rumaninë dhe Lituaninë në kuadër të Ligës së Kombeve.

Demaku ka luajtur për të gjitha gjeneratat e reja tek Austria, ndërsa me ekipin U21 ka regjistruar 15 paraqitje.

Këtë sezon, Demaku ka luajtur 10 ndeshje në Bundesligën e Austrisë me fanellën e Altachut, ekip me të cilin ka kontratë deri në vitin 2027.

Lexo edhe:  Digjet një veturë në Ferizaj, Policia siguron pamjet kur dy persona ia vënë flakën