Javelin-ët e shumëpërmendur, Maqedonci thotë se “s’vijnë këtë vit, por prej 2025 e tutje”
Javelin-ët e shumëpërmendur, Maqedonci thotë se “s’vijnë këtë vit, por prej 2025 e tutje”
Në fillim të këtij viti, u njoftua se Kosova ka blerë raketat anti-tank “Javelin” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, data e arritjes së tyre në vend, nuk dihet ende.
Sipas ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë në dy muajt e mbetur të vitit 2024, por prej 2025 e tutje.
Maqedonci ka deklaruar se “janë në diskutime për ardhjen e sistemeve në kohën e duhur”. Mes tjerash, ministri u shpreh se nuk beson që një gjë e tillë të ndodhë gjatë kësaj periudhe dy mujore.
“Jemi duke vazhduar aspektin e përmbushjes së detyrimeve që dalin nga kontrata për Javelin, kemi ekzekutuar pagesëne parë në muajin mars të këtij viti, deri në fund të këtij viti, do ta ekzekutojmë edhe këstin e dytë për blerjen e sistemeve Javelin. Jemi në diskutime për ardhjen e sistemeve Javelin në kohën e duhur. Edhe tash në vizitën e fundit në ShBA, gjeneral Jashari, komandanti i FSK-së, ka ngritur çështjen e sistemeve Javelin, normalisht që këtij viti i kanë mbetur edhe përafërsisht dy muaj, dhe nuk besoj që do t’i kthemi gjatë kësaj periudhe dy mujore”, ka thënë ai në “Dpt te Fidani”.
Sipas Maqedoncit, sistemet do të jenë në Kosovë “prej vitit 2025 e tutje”:
“Besoj që do t’i kemi shumë shpejt. Ideja është që është t’i kemi në kohën kur na nevojiten për validim dhe certifikim të njësiteve tona, viti 2025 e tutje është periudhë kur do të kemi nevojë për to. Nuk po e them saktësisht në vitin 2025, por prej vitit 2025 e tutje gjithsesi do ta kemi”.