Ideatorët e “Liria Ka Emër” distancohen nga grafiket kundër vëllait të Gani Gecit, të shfaqura sot në Prishtinë
Përfaqësues nga platforma “Liria Ka Emër”, kanë bërë të ditur se nuk kanë të bëjnë asgjë në lidhje me grafiket të cilat janë shfaqur sot në Prishtinë, kundër Fadil Gecit, i cili sëfundmi ishte dëshmitar në Hagë në rastin kundër ish-krerëve të UÇK-së.
Nga kjo platformë kanë thënë se veprimtaria e tyre është vetëm mbrojtja, respektimi dhe promovimi i vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ideatorët e “Lira Ka Emër” kanë thënë se nuk kanë qëllime politike dhe nuk është paltformë e cila merret me denigrimin e askujt.
Postimi i plotë:
Platforma “Liria Ka Emër”, e shtyrë nga zhvillimet e ditës së sotme, sqaron opinionin publik se nuk ka të bëjë asgjë me asnjë lloj veprimtarie jozyrtare, e posaçërisht grafiteve të cilat janë shfaqur sot në qytetin e Prishtinës.
Veprimtaria e platformës “Liria Ka Emër” është një dhe e vetme: mbrojtja, respektimi dhe promovimi i vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Liria Ka Emër” nuk ka qëllime politike dhe nuk është paltformë e cila merret me denigrimin e askujt.
Mbi të gjitha, e gjithë veprimtaria e platformës tonë është legale, publike dhe transparente.
Si e tillë, platforma “Liria Ka Emër” kërkon mirëkuptimin e secilit qytetar të Republikës së Kosovës që t’a mbajnë larg nga diskursi, polemikat apo mosmarrëveshjet publike.
“Liria Ka Emër” fton organet e drejtësisë që të merren seriozisht me zbardhjen e këtij rasti sa më parë që është e mundur.