U furnizuan me derivate në Skenderaj dhe ikën pa paguar, këta janë tre personat që u kapen nga policia!

Policia e Kosovës sot njoftoi se janë gjetur personat që kishin krijuar parregullësi me vjedhje te pompa e derivateve në fshatin Tërnafc të Skënderajt

Policia njoftoi për lajmin duke falënderuar njëherazi edhe policinë e Skënderajt për punën efikase në identifikimin e këtyre personave të dyshuar.

Detajet e ndodhisë nga raporti i plotë policor:

Pas një pune efikase policia në Skenderaj identifikon personat e dyshuar të përfshirë në dy vepra penale

Skenderaj, 11 Tetor 2022

Në orët e hershme të mëngjesit të datës 11.10.2022, policia në Skenderaj ka pranuar informatën se në një pompë të derivateve në fshatin Tërnafc të Skenderajt, një automjet ishte shërbyer me një sasi të derivateve dhe ishte larguar pa bërë pagesën për sasinë e derivateve të mbushura.

Policia ishte përgjigjur në këtë rast dhe pasi kishte marrë përshkrimin e të dyshuarve dhe automjetit, pas një ore ka arritur të identifikoj dhe ta ndaloj automjetin në të cilin kishin qenë tre persona të dyshuar. Policia kishte ndaluar personat e dyshuar; F.M, 24 vjeçar, E.A. 18 vjeçar dhe K.R., 17 vjeçar, që të gjithë shtetas të Republikës së Kosovës.

Të tre personat janë dërguar në Stacionin Policor ku janë intervistuar në lidhje me rastin ndërsa gjatë intervistimit ka rezultuar se personi F.M, ishte i dyshuar edhe për veprën penale ,,Vjedhje e targave”, rast i raportuar në Skenderaj me datë 10.10.2022. I dyshuari ka pranuar se targat e vjedhura i kishin vendosur në automjetin me të cilin kishin marrë derivate dhe ishin larguar pa paguar.
Të gjitha veprimet hetimore i janë paraqitur prokurorit të rastit, i cili ka udhëzuar që të iniciohet rasti ,,Vjedhje e shërbimeve”, ndërsa të dyshuarit të lirohen dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt”

Lexo edhe:  Përleshje mes tre të rinjve në Prishtinë, Policia ua sekuestron thikat