Mustafa: Gjendja në veri është më ndryshe, qeveria Kurti i luftoi grupet kriminale

Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa thotë se qeveria Kurti ka arritur të luftojë grupet kriminale dhe të heq barrikadat në veri.
Sipas tij, në veri tani është një gjendje tjetër, të cilën ai e quan si arritje të përkohshme, derisa edhe ngrit dilema se sa do të jetë e qëndrueshme kjo.

“Kjo qeveri ka treguar se mund të evitojë ose heq barrikadat në veri dhe që mund të luftojë grupet kriminale që kanë vepruar hapur në veri, pasi të dyja i ka bërë. Tani a i ka bërë me marrëveshje apo pa konsultim të faktorit ndërkombëtar, është çështje tjetër. Ndërkombëtarët janë deklaruar se të gjitha ato janë bërë pa informimin dhe konsultimin e tyre. Mirëpo tani një gjendje tjetër është në veri sa i përket barrikadave…Mirëpo kjo nuk do të thotë se ne kemi shtrirë sovranitet, pasi kjo situatë po mbahet me polici, s’po mbahet atje me organe të pushtetit civil”, thotë ai.

Duke vënë në pah sa e vështirë ka qenë liria e lëvizjes në veri, ish-kreu i ekzekutivit përmend një rast në vitin 2016, kur i ishte bllokuar rruga nga serbët lokalë, duke shkuar në Leposaviq.

Lexo edhe:  Kushërini më përzuri prej dasme – Dikur u paragjykua, sot 18 vjeçari nga Peja “ndez” dasmat me tupan