Shteti urdhëron ekzekutimin e vendimit ndaj uzurpatorit Bedri Selmani

Është iniciuar ekzekutimi i vendimit të Tribunalit të Arbitrazhit Ndërkombëtar ndaj Bedri Selmanit, i cili uzurpoi paslufte një hapësirë të madhe të pronave shoqërore dhe paditi shtetin.

Ministria e Drejtësisë ka angazhuar studion ligjore amerikane Squire Patton Boggs LLP për ekzekutimin e vendimit të fituar nga shteti në Arbitrazhin Ndërkombëtar më 4 gusht, 2022, raporton Paparaci.

Përmes një kontrate publike, MD-ja ka angazhuar studion ligjore amerikane për ndërmarrjen e hapave hetimor për identifikimin e aseteve të Bedri Selmanit dhe familjarëve të tij.

Bazuar në kontratë, Squire Patton Boggs LLP, në emër të Qeverisë së Kosovës, do të ekzekutojë brenda një periudhe disa mujore vendimin e Arbitrazhit Ndërkombëtar kundër ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës.

“[Operatori] ndërmerr të gjitha veprimet procedurale në cilin do shtet që identifikohen pasuritë apo asetet e paditësit dhe familjareve të tij, me qëllim të ekzekutimit të Vendimit të Arbitrazhit ICC me nr. 24443/MHM/HBH”, thuhet në dosjen e tenderit, raporton Paparaci.

Studioja ligjore, e cila përfaqësoi Ministrinë e Drejtësisë në procesin gjyqësor ndaj Bedri Selmanit, do të përfitojë 225 mijë euro për ofrimin e shërbimeve në procesin e ekzekutimit të vendimit të Arbitrazhit Ndërkombëtar.

Kontrata mes palëve është lidhur përmes një procedure të negociuar të martën e 11 tetorit, raporton Paparaci.

Sipas Dosjes së Tenderit, Squire Patton Boggs obligohet të bashkëpunojë dhe koordinojë punën “me personat përgjegjës nga institucionet përkatëse shtetërore të Republikës së Kosovës, në lidhje me çështjet e ndryshme gjatë procesit të ekzekutimit të vendimit”.

“Të mbajë Avokaturën Shtetërore të informuar gjatë gjithë kohëzgjatjes së angazhimit për veprimet në këtë procedurë”, thuhet tutje në Dosjen e Tenderit.

Të enjten e 4 gushtit, 2022, mori epilog përfundimtar kontesti për pronat shoqërore të uzurpuara nga Bedri Selmani.

Lexo edhe:  Pamjet e aksidentit në Prizren, momenti kur vetura e Policisë goditi motoçiklistin

Tribunali i Arbitrazhit Ndërkombëtar vendosi në favor të Qeverisë së Kosovës dhe kundër padisë së ushtruar nga ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës.

Bedri Selmani e kishte dorëzuar padinë ndaj Republikës së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Paris të Francës, më 29 prill të vitit 2019. Kishte kërkuar 65 milionë euro kompensim nga shteti.

Selmani e kishte sfiduar shtetin në të gjitha mënyrat. Ai kishte pushtuar pas lufte një hapësirë të madhe toke shoqërore si dhe një objekt të cilin e kishte kthyer në hotel, kishte raportuar Koha Ditore më 2013.

Më 2013, i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e cila i kishte dhënë përgjigje negative pretendimeve të këtij ish-deputeti të PDK-së.

Ai kishte kërkuar edhe të drejtën e parablerjes së tokës shoqërore ku janë ndërtuar objektet e “Autoservisit” dhe hotelit e restorantit “Victory” me rastin e privatizimit. Edhe këtë kërkesë e kishin hedhur poshtë gjykatat vendore.

Pasi i ishin shterur rrugët ligjore, Bedri Selmani e kishte paditur Republikën e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Paris të Francës.

Selmani, prej vitesh nuk është aktiv në jetën politike në Kosovës. Ai është larguar nga Kosova dhe prej disa kohësh jeton në Kroaci.