Detaje nga vrasja në tentativë në Prishtinë/ Policia gjen 8 gëzhoja në vendngjarje, i dyshuari në arrati
02 Press sot raportoi për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur sot rreth orës 15:35 në rrugën ‘Astrit dhe Arbnor Dehari’ në kryeqytet, ku janë dëgjuar krisma armësh, nga të cilat u rrezikua jeta e qytetarëve që ndodheshin në atë zonë.
Një person ende i paidentifikuar nga motoçikleta e tij dyshohet se ka shtënë plot tetë herë me armë zjarri në drejtim të një personi i cili ndodhej në veturën e tij.
Sinjali mëson se në vendin e ngjarjes janë gjetur tetë gëzhoja që dyshohet se janë të armës që u përdor në rast.
Burimet brenda institucioneve të sigurisë bëjnë me dije se lidhur me rastin është intervistuar viktima, i cili fatmirësisht nuk ka pësuar lëndime nga rreziku që i kanosej dhe i njëjti ka deklaruar se nuk e di motivin përse ka ndodhur e gjithë kjo.
Ndërkohë janë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe që çojnë në identifikimin e personit të dyshuar.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që rasti të iniciohet ‘Vrasje në tentativë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.