Aktakuzë kundër një personi për sulmin ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër një personi për shkak të kryerjes së veprave penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepre penale dhe huliganizëm”, raporton Gazeta Sinjali.

I akuzuari M.D. ngarkohet me këto vepra penale që lidhen me sulmet ndaj KFOR-it në maj të vitit të kaluar.

Sipas aktakuzës, “i pandehuri më datë 29.05.2023, afër objektit të Komunës së Zveçanit, në koordinim me të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, përmes përdorimit të dhunës i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, si dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës.”

Prokurori i Shtetit nga Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata që të njëjtin ta shpallë fajtor dhe të t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të këtij rasti penal.

Lexo edhe:  E rëndë: 38-vjeçari në Gjilan tenton vetëvrasjen me armë zjarri, dërgohet i plagosur në QKUK