Ky është 28-vjeçari i arrestuar për shitje të drogës në Prizren

Një aksion i Njësisë së Antidrogës që u zhvillua mëngjesin e sotëm në Prizren, rezultoi me arrestimin e një personi të dyshuar për shitje dhe shpërndarje të narkotikëve. Sinjali raportoi sot ekskluzivisht se gjatë operacionit u zhvilluan edhe bastisje, me ç’rast u sekuestrua një sasi e drogës.

Kontrollet u kryen në rrugën “Ersan Mazreku”, te lokali ‘Rent Labi’, pasi zyrtarët policorë patrullues të Stacionit Policor në Prizren ndaluan fillimisht të dyshuarin e më pas kanë njoftuar Antidrogën dhe së bashku e kanë zhvilluar aksionin.

Gazeta Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari që ra në prangat e Policisë është Arnel Aslani, 28-vjeçar, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Në lokalin që u bastis, Policia gjeti drogë të llojit marihuanë dhe kokainë, që dyshohet se ka qenë e përgatitur për shitje dhe shpërndarje.

Përveç narkotikëve, Policia ka sekuestruar edhe veturën e të dyshuarit, thikë, fishekë, të holla e pajisje për përgatitjen e drogës – që do të shfrytëzohen si prova materiale.

I dyshuari u arrestua dhe u shoqërua në stacion policor, ku u intervistua për veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’.

Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, 28-vjeçari u dërgua në mbajtje.

Lexo edhe:  Klientja e kërcënon punëtoren e Hotel Palace në Mitrovicë - "Ki mu ba arkivol prej meje"