Gjykata ia cakton masën e paraburgimit prej një muaji personit që e kërcënoi Vehbi Kajtazin

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur në çështjen penale për të pandehurin Driton Dobruna, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Kanosje.

E njëjta e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin, andaj të njëjtit  i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.

“Gjykata vlerësoj se e caktimi i masës së paraburgimit tani për tani është masë adekuate sepse nëse i  pandehuri  lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes së tij, po ashtu mund ta përsëris veprën penale të natyrës së njëjtë apo ndonjë vepër tjetër penale, andaj caktimi i masës së paraburgimit është e arsyeshme për rrjedhjen e procedurës penale.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës  Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Dy ditë më parë, Policia e Kosovës e arrestoi Driton Dobrunën, kërcënuesin e gazetarit Vehbi Kajtazi. Ai po dyshohet se e kanosi seriozisht Kajtazin, përmes mesazheve që i dërgoi në llogarinë e tij në ‘Facebook’. Denoncimi i rastit rezultoi me prangosjen e tij dhe sipas informacioneve të para, i njëjti u dërgua në mbajtje.

Lidhur me këtë rast, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës reagoi, duke kërkuar veprime nga Policia, si dhe publikoi mesazhet e Dobrunës.

Por kush është Driton Dobruna – recidivist i veprave penale?

Në muajin maj të këtij viti, Sinjali ka raportuar ekskluzivisht për një rast të mashtrimit, ku u përfshi Driton Dobruna dhe dy persona të tjerë, të dyshuar për përfitimin e kundërligjshëm të 90 mijë eurove.

Hetimi i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit lidhur me këtë rast, çoi në zbulimin e skemës së katër personave, të përfshirë në veprime të kundërligjshme. Dy nga anëtarët e këtij grupi përfunduan në pranga të Policisë.

Sinjali kishte publikuar dosjen e Prokurorisë lidhur me këtë rast, detajet dhe rolet e secilit prej të dyshuarve, recidivistë të veprave penale.

Katër të dyshuarit që u hetuan janë komandant Hekuran Hoda, Shkumbin Hoti, Driton Dobruna dhe Fatime Zeneli – por në duart e shtetit përfunduan atë kohë vetëm Hoda dhe Dobruna.

Në dosjen e Prokurorit të Shtetit thuhej se i dyshuari Shkumbin Hoti ka mashtruar të dëmtuarën lidhur me blerjen e një banese fiktive, e më pas e ka kanosur dhe shantazhuar me publikimin e video xhirimeve me përmbajtje intime.

Ky grup dyshohet për mashtrim në bashkëkryerje përmes falsifikimit të dokumenteve, krijimit të kontratave të falsifikuara, prezantimit të rremë si persona zyrtarë në emër të shitjes së një banese në Prishtinë, duke përfituar shumën e parave prej 90 mijë euro.

Siç ka raportuar Sinjali, përmes provave dhe me aplikimin e masave të fshehta, ishte vërtetuar se ka ekzistuar komunikimi i vazhdueshëm mes të dyshuarve Fatmire Zeneli dhe Shkumbin Hotit, që dyshohet se planifikuan skemën e mashtrimit.

Hoti dhe Zeneli kishin kërkuar që t’ua huazojë zyrën për dy tre ditë gjoja se për të xhiruar një video senzibilizuese për të kërkuar ndihma për operimin e këmbës.

“Të dyshuarit të cilët janë recidivistë të veprave penale të ngjashme, duke i ndarë secili rolet e tyre dhe duke i kontribuuar thelbësisht kryerjes së veprës penale, fillimisht e sajojnë blerjen e një banese dhe duke kërkuar të holla nga e dëmtuara.”

Më pas, i dyshuari Dobruna e falsifikon dokumentin parakontratë, duke u paraqitur si noter me emrin “Ekrem Havolli”, kurse i dyshuari Hekuran Hoda paraqitet si pronar i banesës e cila në fakt ishte huazuar nga i dyshuari Shkumbin Hoti vetëm sa për ta joshur të dëmtuarën që të paguajë shumën e të hollave në vlerë prej  90 mijë eurove.

Për më tepër, pasi që i merr të hollat nga e dëmtuara, Shkumbin Hoti fillon ta shantazhojë të dëmtuarën duke i thënë se nëse e paraqet rastin në Polici, do të publikojë video me përmbajtje intime të të dëmtuarës, ndërsa e dyshuara Fatime Zeneli paraqitet si zyrtare e AKI-së, duke kërkuar nga e dëmtuara shumën prej 1000 franga.”

Lexo edhe:  Enëlarësi kosovar që u bë multimilioner në Zvicër, historia e Isni Jeminit që dyshohet se u shantazhua nga ish-missi