Revole e fishekë- Çka u sekuestrua përgjatë bastisjes në aksionin ku mbeti i arrestuar sekretari i ministrisë së Infrastrukturës?
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale me anë të një komunikate të përbashkët kanë njoftuar se përgjatë bastisjes në aksionin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës janë bastisur edhe disa pajisje, përfshirë këtu një revole.
Në njoftim thuhet se përveç sekretarit të përgjithshëm të ministrisë, Izedin Bytyqi, është në kërkim edhe N.F.
“I arrestuari me inicialet I.B. dyshohet se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Armëmbajtje pa leje”, kurse i dyshuari tjetër me inicialet N.F. dyshohet se ka kryer veprat: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “Shpëlarje e parave” dhe “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare””, thuhet në njoftim.
Aty bëhet e ditur se Bytyqi është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Njoftimi i plotë:
Prishtinë, 8 tetor 2024 – Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës sot është zhvilluar një aksion në MMPHI, në Prishtinë, aksion ky, i cili është bërë pas zhvillimit të hetimeve disamujore.
Gjatë këtij aksioni, hetuesit e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike nga Policia e Kosovës kanë realizuar arrestimin e një personi të dyshuar, kurse i dyshuari tjetër nuk është gjetur në vendbanim e tij.
I arrestuari me inicialet I.B. dyshohet se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Armëmbajtje pa leje”, kurse i dyshuari tjetër me inicialet N.F. dyshohet se ka kryer veprat: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “Shpëlarje e parave” dhe “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.
Gjatë bastisjes janë sekuestruar dëshmitë si në vijim:
1. Një (1) revole e tipit MAUSER-WERKR me dy (2) karikator me nga shtatë (7) fishekë, dhe një kuti me pesëdhjetë e katër (54) fishekë 9 mm.
2. Tridhjetë e katër (34) fletë dokumente të ndryshme.
3. Tre (3) telefona, një (1) IPhone 15 ProMax, një (1) IPhone 12 ProMax, një (1) IPhone 11 ProMax
4. Shtatëmbëdhjetë (17) USB.
5. Tre (3) llaptop HP.
6. Katër (4) shtëpiza kompjuteri si dhe
7. Dokumente të rëndësishme për procedurën hetimore.
Gjithashtu është lëshuar urdhër i përkohshëm ndalimi për 6 banesa, me lokacione në Prishtinë dhe Fushë Kosovë.
Me aktvendim të Prokurorit nga PSRK-ja, i dyshuari me inicialet I.B. është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet vazhdojnë për të identifikuar çdo person tjetër që mund të jetë i përfshirë në këtë aktivitet kriminal.