Sveçla: Pikëkalimi në Merdare është hapur për të gjitha mallrat serbe

 

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se pika kufitare në Merdare është hapur për mallrat me origjinë nga Serbia.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka bërë me dije se në këtë pikë kufitare do të hyjnë të gjitha mallrat serbe.

Sipas tij, të gjitha mallrat do t’i nënshtrohen kontrolleve manuale të sigurisë deri në funksionalizimin e skanerëve me rreze X.

“Bazuar në vlerësimin e situatës së sigurisë nga ana e MPB-së, në pikëkalimin kufitar Merdarë, për mallrat me origjinë nga Serbia do të kalohet nga faza e qarkullimit të kufizuar të mallrave në fazën e qarkullimit të mallrave me kontrolle manuale të sigurisë. Andaj, me efekt të menjëhershëm, pika kufitare në Merdarë do të jetë e hapur për të gjitha mallrat, të cilat do t’i nënshtrohen kontrolleve manuale të sigurisë deri në funksionalizimin e skanerëve me rreze X. Pikat tjera kufitare me Serbinë do të hapen për të gjitha mallrat në momentin kur skanerët me rreze X bëhen funksional në ato pika kufitare. Transportuesit e mallrave gjatë kësaj periudhe duhet të kenë parasysh këtë ndryshim dhe të bëjnë planifikimin e duhur të kohës së nevojshme për procedurat e reja të kalimit të pikës kufitare”, ka shkruar Sveçla.

Lexo edhe:  Del para gjykatës personi që ua shiti armën e krimit Murselit dhe Plavës, ky është vendimi që u mor ndaj tij