Dy punëtorë goditen nga rryma në Parkun Industrial “Trepça”, dërgohen në Spital

Dy punëtorë janë lënduar mesditën e sotme pasi ranë në kontakt me rrymën duke punuar në një trafo në Parkun Industrial Trepça.

Gazeta “Jepi zë” ka mësuar se një nga të lënduarit është punëtor i Trepçës dhe tjetri i KOSTT.

Rastin për “Jepi zë” e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Ilmi Prekazi, i cili ka thënë se ekipet policore kishin dalë në vendin e ngjarjes.

“Rreth orës 12:00, është pranuar një informatë se te ish fabrika e akumulatorëve në Kombinatin Trepça në Mitrovicë janë lënduar dy persona të cilët kishin qenë duke kryer punime në një trafo të rrymes dhe të njëjtit ishin dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës”, ka thënë Prekazi.

Ndërkaq, mësohet se një nga punëtorët është dërguar për trajtim në QKUK.

U.D. i kryeshefit të Trepçës, Faton Ahmeti, ka konfirmuar rastin për “Jepi zë” dhe ka shtuar se të dy punëtorët janë jashtë rrezikut për jetë.

“Po janë lënduar dy punëtorë në Parkun Industrial, teksa punonin në një trafo. Fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë Ahmeti.

Kujtojmë se shumë shpesh është raportuar për kushtet e rënda të punës në Kombinatin Trepça dhe jo të rralla kanë qenë rastet kur e kanë pësuar punëtorët me lëndime.

Lexo edhe:  Arrestohet një person në Fushë-Kosovë, e mashtroi  dikë se do ta pajiste me vizë