Vdes akademiku Tahir Emra

 

Është ndarë sot nga jeta akademiku kosovar, piktori Tahir Emra.

Lajmin e ka bërë të ditur Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Ata kanë njoftuar që i ndjeri do të varroset në varrezat e qytetit të Gjakovës më 8 tetor, teksa AShAK-u po atë ditë do të mbajë mbledhje komemorative në orën 11:00, e më pas do të bëhen edhe homazhet deri në orën 12:30.

“Me pikëllim të thellë njoftojmë se sot, më 7 tetor 2024, në moshën 86-vjeçare ndërroi jetë piktori i shquar, ndër më të shquarit e artit shqiptar, akademik Tahir Emra”, thuhet një njoftimin e AShAK-ut.

“Akademik Emra u lind në Gjakovë më 1938. Shkollën fillore e kreu në vend­lindje, ndërsa të mes­men të artit më 1959 në Pejë”.

“Në vitet 1959-1961 punoi mësues vizatimit në vendlindje, më pas studioi në Akademinë e Arteve Figurative në Beograd. Diplomoi më 1966 për pik­turë, teksa një vit më vonë u zgjodh ligjërues e pastaj profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës, në Degën e Arteve Figurative”.

“Më pas vijoi studimet pasuniversitare, magjistroi më 1970 dhe më 1974 u zgjodh docent për vizatim dhe pikturë në Akademinë e posathemeluar të Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe më 1982 profesor ordinar”.

“Ka qenë docenti dhe prodekani i parë shqiptar i Akademisë së Arteve, pastaj shef katedre në dy mandate. Gjatë viteve ’90, për disa vite ka mbajtur mësim me studentët në atelienë e shtëpisë së tij. Për dhjetë vjet (1994-2004) ka mbajtur mësim në lëndët vizatim dhe pikturë edhe në Akademinë e Arteve të Universitetit të Tetovës. Ishte njëri nga themeluesit e Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës dhe pjesëmarrës i rregullt në aktivitetet e saj”.

Lexo edhe:  Për 47 mijë euro e detyruan t’i ndërtojë shtëpi në vlerë 75 mijë euro – Skema se si u shfrytëzua viktima nga dy të dyshuarit për fajde

“Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është zgjedhur në vitin 2000, ndërsa anëtar i rregullt në vitin 2008. Për një mandat ka qenë sekretar i Seksionit të Arteve të ASHAK-ut”.

“Ka hapur disa ekspozita të pavarura dhe ka marrë pjesë në ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit. Veprat e tij gjenden në shumë galeri e muze të botës, në institucione dhe në koleksione private”.

“Në vitin 2013 Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës botoi monografinë e piktorit Tahir Emra me riprodhimet e veprave më të njohura dhe me studimin e piktorit Kujtim Buza”.