Situatë e rëndë nga vërshimet në Bosnjë: Zhduken familje të tëra në Jabllanicë

Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Borjana Krishto, e shoqëruar nga kryetari i komunës së Jabllanicës, Damir Shabanoviq dhe me bashkëpunëtorë tjerë, vizitoi qytetin të shtunën, i cili u dëmtua rëndë nga përmbytjet e shpejta gjatë natës mes të enjtes dhe të premtes.

Ajo tha se në këtë tragjedi janë zhdukur familje të tëra, teksa u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave.

“Është shumë e vështirë të flasësh pas këtyre skenave të tmerrshme që kam parë në komunën e Jabllanicës. Njeriu thjesht nuk mund ta besojë. Në radhë të parë duhet të përcaktojmë humbjet njerëzore. Këtu janë zhdukur familje të tëra… ngushëllimet e mia të sinqerta për të gjithë në këtë situatë të vështirë”, tha Krishto për mediat në Bosnjë.

Ajo shtoi se e gjithë shoqëria e BeH duhet të angazhohet në rehabilitimin e pasojave të kësaj fatkeqësie natyrore.

“Në këto momente më të vështira, duhet të ngremë kokën dhe të themi: duhet të jetojmë, duhet të punojmë, të gjithë së bashku. Fatkeqësisht, një situatë e tillë duhej të na ndodhte për të na lidhur të gjithë së bashku për t’u fokusuar tek njëri-tjetri”, tha kryetarja e Këshillit të Ministrave të BeH. /rel

Lexo edhe:  Matoshi: Asnjë hoxhë nuk më bindi se në Kuran shkruan që gruaja duhet të mbulohet