Pacientja e denoncon për ngacmim seksual infermierin në QKMF-në 4

Denoncimi i një vajze për një rast të ngacmimit seksual që pretendon se ka ndodhur në një qendër të mjekësisë në Prishtinë ka aktivizuar Policinë mbrëmë.

Një vajzë 25-vjeçare e ka raportuar rastin, ku ka rrëfyer se personi që e ka ngacmuar është punëtor shëndetësor, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali ka mësuar se bëhet fjalë për një infermier në Qendrën e Mjekësisë Familjare 4 në Prishtinë, i cili u denoncua nga pacientja në fjalë.

Bazuar në dëshminë e saj, e njëjta ka deklaruar se një infermier e ka ngacmuar seksualisht pasi kishte shkuar për t’u kontrolluar në këtë qendër, mbrëmë pas mesnate.

Si rezultat i raportimit të saj, Policia ka siguruar prezencën e infermierit dhe i njëjti është intervistuar dhe është përballur me denoncimin kundër tij.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se infermieri e ka mohuar kategorikisht ta ketë ngacmuar pacienten, të cilën ka deklaruar se as nuk e ka kontrolluar dhe nuk ka pasur kurrfarë komunikimi me të.

Lidhur me rastin, janë intervistuar edhe disa mjekë si dëshmitarë.

Pas përfundimit të procedurave policore, infermieri është liruar, ndërsa Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore.

Lexo edhe:  Arrestohen gjashtë persona, konfiskohen artikuj të dëmshëm ushqimorë