Arrestohet djali i pronarit të “Lajthizës”, plagosi me armë tre persona në lokalin e VIP-ave në Tiranë
Ka marrë fund arratia për Edison Elezajn, djalin e biznesmenit të “Lajthizës”, Hajri Elezaj.
Burime për mediat bëjnë me dije se 32-vjeçari ka rënë në prangat e Policisë lidhur me ngjarjen të ndodhur në korrik të këtij viti ku plagosi me armë zjarri tre shtetasit, Elona Pinarin dhe dy vëllezërit A.Pengili dhe D.Pengili.
Prej 23 korrikut djali i biznesmenit ndodhej në arrati dhe vetëm mbrëmjen e kësaj të mërkure është bërë i mundur arrestimi i tij.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 01:30 më 23 korrik 2024 në ambientet e restorantit “Savoy Garden” në Tiranë.
Gjatë festës së zhvilluar në ambientet e këtij restoranti Edison Elezaj qëlloi me armë zjarri duke lënë të plagosur Elona Pinarin dhe dy shtetasit A.Pengili dhe D.Pengili.
Menjëherë ata u dërguan në spitalin më të afërt, ndërkohë 32-vjeçari u largua nga vendi i ngjarjes. Ajo që kishte plagë më të rënda ishte Elona Pinari, e cila ndryshe nga dy vëllezërit Pengili të cilët lanë ambientet e spitalit sapo morën ndihmën e parë, qëndroi nën vëzhgim nga mjekët.
Lidhur me këtë ngjarje aso kohe Policia e Tiranës shpalli në kërkim Edison Elezajn, ndërsa arrestoi Arjan Dushajn dhe Dardan Zallin, dy të rinjtë nga Tirana, të cilët dyshohet se kishin fshehur armën e zjarrit me të cilën 32-vjeçari qëlloi.
Fillimisht Policia e Tiranës tha se plagosja ishte aksidentale dhe se arma kishte bërë shkrepje të pavullnetshme, mirëpo në një njoftim të dytë bënë me dije se Edison Elezaj u shpall në kërkim për akuzën “Plagosja e rëndë me dashje”.