Propozohet emri për ministrin e ri të Shëndetësisë

Bashkëkryetarja e Partisë Guxo, Donika Gërvalla, ka thënë se do t’ia propozojë kryeministrit Albin Kurti, deputetin e kësaj partie, Haxhi Avdyli për pozitën e ministrit të Shëndetësisë.

Gërvalla thotë se deklarimi i deputetit Burim Meta se ky institucion duhet t’i takojë partisë Guxo ishte ngacmues për opinionin, duke thënë se ishte deklaratë ‘Qesh e Ngjesh’.

“Nuk është i panjohur në skenën politike për të ngacmuar opinionin, ai e bën shpesh me një dozë shumë të shëndoshë humori, e me një dozë shumë të shëndosh seriozisht. Kjo ishte qesh e ngjesh”, tha Gërvalla.

Mes tjerash, Gërvalla shtoi se Avdyli është kandidati më i mirë i mundshëm që të jetë në krye të këtij institucioni.

Sipas saj, edhe deputeti Meta e ka pasur në mendje deputetin Haxhiu kur ka thënë se ky institucion i takon Partisë Guxo.

“Unë mendoj që Partia Guxo ka një kandidat të shkëlqyer, mendoj që deputeti Haxhi Avdyli jo vetëm që do ti shërbente këtij institucioni…Nëse kryeministri Kurti do të jetë dakord, unë do t’ia bëjë këtë propozim. Prandaj shprehjet e mendimit individual të deputetëve janë shumë të mirë se ardhura. Unë mendoj që Burim Meta e ka pasur në mendje Haxhi Avdylin. Mua, Haxhi Avdyli më duket se është kandidati më i mirë i mundshëm”, shtoi ajo në televizionin publik.

Kujtojmë se dje, Rifat Latifi ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Shëndetësisë.

Lexo edhe:  Skandali Safet Gjici – Flet vajza e videos: Jam e pambrojtur, ndihem e braktisur nga shteti