Ky është instruktori 70-vjeçar i autoshkollës i arrestuar për sulm seksual, edhe para dy muajsh u denoncua
Vajzat dhe gratë janë viktimat më të shpeshta të ngacmimeve, sulmeve seksuale e dhunimeve. Të tilla ngjarje të trishta shpesh ndodhin edhe në hapësira publike, institucione e biznese të ndryshme. Për një rast të tillë, për herë të dytë brenda pak muajsh është denoncuar një instruktor i një autoshkolle
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari Vesel Elshani, rreth 70-vjeçar është denoncuar sërish gjatë ditës së djeshme, nën dyshimet se e ka sulmuar seksualisht një kandidate.
Elshani është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, si dhe ndaj tij është iniciuar hetimi me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se viktima është një vajzë 30-vjeçare dhe rasti ka ndodhur derisa viktima ishte duke i zhvilluar orët e vozitjes dhe ndodhej bashkë me të dyshuarin në veturën e autoshkollës “Instruktori – Drenas”.
Sipas dëshmisë së viktimës, i dyshuari e ka prekur nëpër trup, përfshirë organet gjenitale, e madje edhe e ka puthur, duke i thënë po ashtu fjalë të ndryshme – që e kanë alarmuar dhe ka kërkuar ndihmën e Policisë
Pasi Policia është vënë në dijeni, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe është siguruar prezenca e të dyshuarit.
I njëjti është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ndër të tjera ka deklaruar se nuk ka pasur ndonjë qëllim të caktuar dhe ka mohuar të ketë ndodhur siç është denoncuar rasti.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit në drejtim të veprës penale “Sulmi seksual”.
Edhe për rastin e mëhershëm, i njëjti ishte arrestuar dhe kishte përfunduar në mbajtje.