“Gratë dhe fëmijët duhet të largohen”- Çka komunikuan terroristët në Banjskë pak minuta para se të sulmonin Policinë e Kosovës?

Prokuroria Speciale në aktakuzën e ngritur kundër 45 të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë në krye me Milan Radoiçiq, përmend edhe disa komunikime mes të inkriminuarve për veprën e cekur penale. Aty përmenden komunikime të koduara në platformat ‘Signal’ dhe ‘Viber’ pak para sulmit ndaj Policisë së Kosovës.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale thuhet se në komunikimet e nxjerra nga platforma ‘Signal’ dhe ‘Viber’ nga i akuzuari për sulm terrorist, Dushan Maksimoviq, thuhet se të akuzuarit kanë shkëmbyer disa mesazhe pak para sulmit që la të vrarë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakun dhe la të lënduar disa zyrtarë të tjerë policorë.

Sipas aktakuzës, përbrenda pak minutash në grup janë shkëmbyer dy mesazhe: “Shkruani këtu që të organizohemi” dhe “Mos e dhashtë Zoti, të ketë përshkallëzim të madh, gratë dhe fëmijët duhet të largohen”.

“Komunikim tjetër i të pandehurit Dusan është i datës 24.09.2023 në ora 6:06:59 përmes aplikacionit viber, ku pranon porosinë me pyetjen “Kad punimo stubove” (Kur vendosim stubat), ndërsa i pandehuri i përgjigjet “Oko pola 12” (Rreth orës 12:30), në këtë komunikim flasin për vendosjen e stubave të barrikadave, e që sipas planit të tyre rrugët duhej të bllokoheshin rreth orës 12:30”, thekson aktakuza e Prokurorisë Speciale.

“Pra, në bazë të historikut të strukturave kriminale të cilat kanë operuar në veriun e Kosovës, pjesëmarrësit e këtyre strukturave kriminale kanë përdorur kode apo fjalë të njohura për grupin, kjo është vërejtur edhe në komunikimet e mëhershme të pandehurit Dusan Maksimovic gjatë ekzaminimit të telefonit, ku fjalës “stuba” i janë referuar vendosjes së barrikadave (bllokimit të rrugëve), e ku i pandehuri Dusan Maksimovic ka marrë pjesë aktivisht në vendosjen e barrikadave, ndërsa në natën e sulmit të datës 24.09.2023, kishte rolin e organizimit të personave tjerë që të menjanojnë pengesat dhe krijimin e kushteve për kryerjen e veprave penale për të cilat ngarkohet ky i pandehur dhe pjesëmarrësit e tjerë si në këtë aktakuzë”.

Lexo edhe:  Arrestohen dy shqiptarë në Zvicër, po punonin “pa letra”

Maksimoviq është një nga tre të akuzuarit e parë për sulm terrorist që ishin kapur nga Policia e Kosovës në Banjskë.