Këta janë dy të dyshuarit që rrahën me mjete të forta 19-vjeçarin në Pejë, arrestohen pas 3 javësh në arrati

Pas rreth 3 javësh në arrati, Policia e Kosovës ka arritur t’i arrestojë dy të rinjtë e dyshuar për sulmin brutal ndaj një 19-vjeçari, në rrugën “Toni Bler”, në Pejë. Ata u kapën sot dhe pas arrestimit u ndaluan për 48 orë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy të dyshuarit janë Jeton Hysenaj dhe Armend Bekaj, të dy 20-vjeçarë, të cilët po dyshohen se më 17 shtator e kanë sulmuar fizikisht viktimën me mjete të forta, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Për pasojë, 19-vjeçari kishte pësuar plagë në kokë si dhe frakturë në njërin gisht, për çka iu desh të marrë trajtim mjekësor.

Në anën tjetër, gjatë kësaj periudhe, Policia ka mbledhur dëshmi që provojnë përfshirjen e të dyshuarve në rast dhe sot janë vënë në veprim, me ç’rast kanë kapur dy të rinjtë.

Pas shoqërimit në stacion policor, të dyshuarit nuk janë deklaruar para hetuesve, pasi kanë vendosur të mbrohen në heshtje. Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin prej 48 orësh dhe dorëzimin e kallëzimit penal.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Orban kundër vendosjes së masave ndaj Serbisë: Kosovarët nuk duhet të provokojnë serbët